Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon që Thaçit, Veselit dhe Selimit t'u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka kërkuar që të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet brenda Qendrës së Paraburgimit.

Sipas parashtresës së ZPS-së, të njëjtit kanë shkelur urdhërat e trupit gjykues duke zbuluar kështu identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.

Në këtë parashtresë theksohet se hetimet e ZPS-së, kanë zbuluar gjithashtu përpjekje të mëtejshme për të penguar procedimin, duke përfshirë lëshimin e udhëzimeve nga të akuzuarit se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët dhe planifikimin e qasjeve ndaj tyre.

ZPS-ja ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’i pezullohen të gjitha komunikimet – duke përfshirë vizitat (qoftë personalisht ose me Zoom), telefonata dhe komunikime me shkrim derisa paneli gjyqësor të ketë mundësinë të vendosë mbi bazueshmërinë e kësaj kërkese.

Ndërsa komunikimet jo të privilegjuara të tre të akuzuarve kërkohet që të përkufizohen në një grup të caktuar të familjes së ngushtë dhe zyrtarët konsullorë që do të propozohen nga tre të akuzuarit dhe do të miratohen paraprakisht nga Paneli gjyqësor pas parashtresave të ZPS-së. Në komunikimet jo të privilegjuara përfshihen kontaktet mediatike, konsullore dhe të gjitha komunikimet e tjera të kësaj natyre.

Tutje, ZPS-ja ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv (nga një folës në gjuhën shqipe) të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.

Ndërsa vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve mbrojtës ndërsa të akuzuarit të ndahen urgjentisht nga të paraburgosurit e tjerë që janë aktualisht në Qendrën e Paraburgimit deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga paneli gjyqësor.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.