Nagavci: Pas 9 vjet pritje është akredituar programi Master në Energjetikë në FIEK
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se pas 9 vjetësh pritje është akredituar programi Master në Energjetikë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) në Universitetin e Prishtinës.
Sipas Nagavcit, ky është një hap madhor drejt përgatitjes së kuadrove profesionale në njërën nga fushat më kritike për zhvillimin e vendit tonë.
“Përgëzoj menaxhmentin e FIEK-ut dhe stafin akademik për këtë arritje të rëndësishme, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në përgatitjen e inxhinierëve të rinj për nevojat gjithnjë në rritje të këtij sektori jetik” – ka shkruar Nagavci në Facebook më 24.05.2025.
Nagavci po ashtu ka njoftuar se është rikredituar edhe programi Bachelor në Energjetikë (BSc) në FIEK dhe ka vlerësuar se është dëshmuar përkushtimi i këtij institucioni për cilësi dhe zhvillim të qëndrueshëm akademik.
Me këto vendime, Nagavci thotë se numri i përgjithshëm i studentëve në FIEK arrin në 652.
KALLXO.com ka kontrolluar në faqen e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) për të pasur qasje në vendimin e akreditimit të programit Master “Energjetikë”, si dhe riakreditimit të programit Bachelor “Energjetikë”, por nuk janë publikuar asnjë prej këtyre vendimeve.
Ministrja e Arsimit ia ka atribuuar dy arritje tjera përveç bashkëpunimit kontruktiv me FIEK, por edhe kërkesës së drejtpërdrejtë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në FIEK, duke pas parasysh rëndësinë e këtyre programeve.
“Gjatë këtyre katër viteve në FIEK kemi: një rritje prej 48% të numrit të studentëve të rinj, ose 312 vende më shumë, zgjerim të numrit të programeve akademike nga 5 në 9 (4 programe të reja – krahasuar periudhën 2021 me 2025)” – janë arritjet që ka përmendur Nagavci.
Sipas Nagavcit disa nga rezultatet kryesore të FIEK gjatë këtyre katër viteve të fundit janë:
– Programi Bachelor “Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike” – rritje nga 150 në 250 studentë;
– Programi Bachelor “Energjetikë” – 60 studentë, i akredituar deri më 30.09.2028;
– Programi Master “Energjetikë” – 30 studentë, akredituar për herë të parë pas 9 vitesh;
– Doktoratë në Inxhinieri Elektrike dhe Kompjuterike – 22 studentë aktivë (ky program është riakredituar më 2023, pasi kishte humbur akreditimin më 2016).
Ajo thotë se FIEK tashmë ka edhe laboratorë modernë dhe të sofistikuar për secilin program studimi.
“Vetëm gjatë viteve 2023–2024, janë investuar rreth 500 mijë euro në pajisje të reja laboratorike për dy programet në fushën e elektroenergjetikës, si dhe janë përmirësuar laboratorët ekzistues, përfshirë: laboratorin e makinave dhe ngasjeve elektrike; laboratorin e materialeve elektrike; laboratorin e matjeve elektrike; laboratorin e instalimeve elektrike dhe tensionit të ulët, etj” – ka thënë Nagavci.
Nagavci vlerëson se Kosova ka nevojë jetike për inxhinierë të përgatitur në fushën e energjisë, teknologjisë dhe inovacionit andaj dhe mbështetja dhe angazhimi i tyre në këtë drejtim është i vazhdueshëm dhe i pandalur.
“Urime FIEK, Universiteti i Prishtinës dhe të gjithë studentëve të energjetikës!” – ka përfunduar ajo.