Mustafa thotë se Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla më shumë kanë qenë jashtë Kosovës gjatë luftës

 

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka vazhduar dëshminë e tij në seancën e së hënës, në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Në cilësinë e dëshmitarit, Rrustem Mustafa ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e ekipit të mbrojtjes së Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij, Mustafa tha se para kohës së Rambujesë nuk kishte njohuri se Azem Syla kishte qenë komandant i përgjithshëm i UÇK-së.

“Nuk e kam ditë që Azem Syla ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së’’.

“Është përfolur por nuk e kemi ditë saktë se cili mund të jetë’’ – tha ai.

Dëshmitari Mustafa po ashtu pohoi se si komandant i Zonës Operative të Llapit nuk kishte pasur njohuri se kush e kishte rolin e komandantit nga Shtabi i Përgjithshëm.

Gjatë pyetjeve të ekipit të mbrojtjes së Veselit, avokatit Ben Emmerson, dëshmitari Mustafa pohoi që pas marrëveshjes së Rambujesë ishte formuar Qeveria e përkohshme e Kosovës, që Azem Syla ishte bërë ministër i Mbrojtjes ndërsa Bislim Zyrapi ishte bërë shef i kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.

Lidhur më këtë, dëshmitari potencoi që duke qenë se Bislim Zyrapi ka qenë në rolin e shefit të Shtabit të UÇK-së dhe person me përvojë ushtarake, i njëjti kishe menduar se edhe mund të kishte qenë komandant.

Dëshmitari Mustafa u pyet lidhur me pozitën e Jakup Krasniqit në Shtabin e Përgjithshëm, dëshmitari lidhur me këtë tha se: “Ishte fundi i luftës ky dhe është bërë përpjekje për me ndërru emra por Jakup Krasniqin nuk e kam njoftë si zëvendës dhe me të nuk kam komuniku si zëvendës komandant’’.

Tutje dëshmitari Mustafa theksoi se pjesën më të madhe të konfliktit, Hashim Thaçi, Adem Grabovci, Kadri Veseli, Xhavit Haliti, Azem Syla kishin qëndruar jashtë vendit.

Shqyrtimi gjyqësor po vazhdon me sesionin e pyetjeve plotësuese nga ana e prokurores Lawson dhe ekipeve të mbrojtjes së Thaçit dhe Veselit.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.