Mustafa: Kemi përfundu luftën e Shtabi i Përgjithshëm s’ka mujtë me qenë një hierarki e respektuar nga njësitë vartëse
Ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale.
Në seancën e sotme Mustafa u është përgjigjur pyetjeve të ekipit të mbrojtjes të Thaçit dhe Veselit.
Dëshmitarit Mustafa fillimisht iu paraqit një dokument i nënshkruar nga Bislim Zyrapi si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në nëntor të vitit 1998, ku ishte urdhëruar parandalimi i sjelljeve jokorrekte e të gjitha njësiteve të UÇK-së ndaj popullatës civile, ndalimi i arrestimit dhe ndalimit pa leje të komandantit të brigadës apo më lartë.
Dëshmitari Mustafa deklaroi që nuk i kujtohet ky dokument saktësisht, por që ngjason me dokumentet që kishin marrë dhe që nuk ka arsye ta mohojë se i njëjti është dokument zyrtar i UÇK-së.
Lidhur më këtë dëshmitari deklaroi se “pa dhënë urdhër komandanti i brigadës, nuk ka mujtë me u arrestu askush” dhe se “të gjitha rekomandimet jemi përpjekë me i zbatu”.
Këtë deklarim Mustafa e bëri duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Thaçit, Luka Mishetiq, lidhur me faktin se a e kishin zbatuar urdhrin nga Zyrapi për parandalimin e sjelljeve jokorrekte ndaj popullsisë civile nga të gjitha njësitet e UÇK-së.
Dëshmitari Mustafa tutje u pyet nëse ka qenë në dijeni për draft-marrëveshjen mes UÇK-së dhe FARK-ut, por deklaroi se nuk ka qenë relevante dhe nuk e mban mend.
Ndërkaq, ish-komandant Remi u pajtua me parashtrimin që Shtabi i Përgjithshëm gjithashtu kishte kontribuar që UÇK-ja të perceptohej sa më mirë në arenën ndërkombëtare dhe se të njëjtit kishin dhënë udhëzime për mënyrën e respektimit të ligjit të luftës.
Dëshmitari Mustafa po ashtu deklaroi që kishte marrë pjesë në takimet me gjeneralin Jackson në lidhje me demilitarizim dhe se i pranishëm kishte qenë edhe gjenerali Çeku.
Rrustem Mustafa tregoi që në vitin 2001 ishte vendosur në listën e sanksioneve të SHBA-së si oficer i TMK-së dhe se emri i tij kishte mbetur në listë edhe në vitin 2003.
Dëshmitari Mustafa u pyet nëse e kishte ndryshuar dëshminë e tij në ndonjë mënyrë si rezultat i caktimit edhe si këshilltar i ish-presidentit Thaçi në vitin 2019.
Lidhur me këtë ai u përgjigj se ‘‘Unë kur kam shkruar libra dhe kam bë kësi intervistash as që e kam mendu që z. Thaçi do të jetë pranë gjykatës sot, unë e kam pasur të njëjtin qëndrim pas luftës, gjatë luftës dhe sot’’.
Tutje duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Veselit, Ben Emmerson, dëshmitari tha se “Shtabi i Përgjithshëm nuk kanë mujtë me bo marrëveshje pa na pyetur neve”, duke sqaruar nëse kjo kishte të bënte me faktin se Shtabi i Përgjithshëm të kishin qenë vartësit e tyre dhe jo anasjelltas dhe se të njëjtit nuk mund të bënin marrëveshje pa autorizimin e tyre.
Përderisa strukturën e forcave të armatosura e drejtonte Shtabi i Përgjithshëm dhe komandantët e zonave ishin vartës, dëshmitari u pyet nëse ky raport në atë kohë ishte e kundërta.
“Kemi përfundu luftën e Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mujtë me qenë një hierarki e respektuar për dhënien e urdhrave tek njësitë vartëse” – deklaroi i njëjti.
I njëjti shtoi se nuk kishte pasur qasje të përbashkët mes komandantëve të zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm. “Nuk kishim zë të përbashkët dhe kishim mospërputhje”- tha ai.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.