Musiqi: KESCO dhe KEDS kanë informuar që nuk do të importojnë rrymë nga 15 gushti

Sabri Musiqi, ushtrues detyre i drejtorit të KOSTT-it ka thënë se janë informuar nga KESCO dhe KEDS se nga 15 gushti nuk do të importojnë rrymë.

Musiqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) kanë thënë se do të bëjnë furnizimin vetëm me megavatët e siguruar nga gjenerimi vendor.

“Para rënies së blloqeve kemi filluar aplikimin e reduktimeve. Arsyeja ka qenë sepse KEK-u sipas planit ka pasur të shkojë në një remont të njësisë B2, sipas bilancit të aprovuar paraprakisht. Ndërkohë KESCO dhe KEDS neve na kanë informuar se tani e tutje pra prej 15 gushtit e tutje KESCO dhe KEDS nuk do të importojnë asnjë megavat por do të bëjnë furnizimin vetëm me megavatët e siguruar nga gjenerimi vendor” – ka thënë ai.

U.d. i drejtorit të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë ka thënë se KOSTT e ka ngritur këtë çështje në ZRRE.

“Për neve kjo ka qenë sinjal mjaft shqetësues dhe çështjen e kemi ngritur te Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që është përgjegjëse për monitorimin e sjelljes së palëve”- ka thënë Musiqi duke shtuar se nëse KOSTT nuk do të ndërmerrte një hap të tillë atëherë nga 15 gushti e tutje gjithë mungesa do të duhej të tërhiqej prej shteteve evropiane.

Musiqi ka shpjeguar se KESCO dhe KEDS e kanë obligim furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike pas balancimit të sistemit nga KOSTT.

“Ne kemi të drejtë ligjore që vetëm në incidente me bë furnizimin e përkohshëm nëpërmjet energjisë balancuese në asnjë mënyrë ne nuk e kemi të drejtën me kry furnizimin e konsumatorëve në emër të një pale tregtare në ketë rast KESCO dhe KEDS-it” – ka thënë ai.

“Është obligim i palës që ka dështuar. Nëse një njësi gjeneruese ka rënë nga sistemi KESCO dhe KEDS janë të obliguar të kryejnë furnizimin duke kombinuar gjenerimin vendor dhe importin” – ka shtuar u.d. i drejtorit të KOSTT.