Pse nuk u mor parasysh kërkesa e KEK për rritje të rrymës për KEDS, KESCO dhe KOSTT?

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për KEDS, KESCO dhe KOSTT.

KEK kishte parashikuar t’ia shesë 31.50 euro megavatin (MWh) KESCO-s, ndërsa KOSTT-it dhe KEDS-it 39.10 euro.

Ymer Fejzullahu, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në emisionin “Kallxo Përnime” tha se në shqyrtimin e të hyrave maksimale të lejuara për KEDS, KESCO dhe KOSTT, nuk i kanë marrë parasysh rritjet e propozuara nga KEK.

Kjo pasi, sipas Fejzullahut, KEK-u nuk ka respektuar procedurat në fuqi.

Fejzullahu tha ndër të tjera se nuk ka pasur arsye në rritjen e çmimit të energjisë elektrike nga KEK pasi që investimet kanë qenë minimale apo përafërsisht të njëjta me vitet e kaluara.

“Është një marrëveshje që duhet të respektohen procedurën në fuqi. Një kërkesë e tillë nuk i ka respektuar hapat siç janë të përcaktuar në procedurë. ZRRE nuk mund ta pranojë një rritje të tillë nëse nuk kemi investime të kënaqshme. Nuk ka pasur asnjë arsye që të ketë rritje të çmimit të rrymës me shumicë. Investimet kanë qenë të njëjta apo shumë të vogla në vitet e fundit. Kemi pritje vitin tjetër që të ketë investime kapitale në KEK dhe ato do të reflektohen” – tha ai.

Ndër të tjera, Fejzullahu tha se nuk ka pasur marrëveshje mes KEK me KEDS, KESCO dhe KOSTT për rritje të çmimit të energjisë, sepse në atë rast ZRRE do ta merrte parasysh.

www.kallxo.com