KEDS

Një zonë e Prishtinës ende pa rrymë, deklarohet KEDS-i

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka angazhuar dhjetëra punëtorë që të rikthejë në punë sa më shpejt Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT-it.

Që nga mbrëmja e datës 03.04.2024, kjo zonë e Prishtinës ka mbetur pa rrymë, duke u afektuar rreth 10 mijë konsumatorë.

“Ekipet tona tashmë kanë përgatitur asetet e KEDS-it dhe jemi në pritje të përfundimit të punimeve nga ana e KOSTT-it, të cilët gjithashtu janë në vlugun e punës që ta rikthejnë sa më shpejt energjinë elektrike”- thuhet në njoftim.

Më 03.04.2024 nënstacioni elektrik “Prishtina 3” është kapluar nga zjarri dhe si pasojë qytetarët që furnizohen nga kjo pikë kanë mbetur pa energji elektrike.

“Njoftohen qytetarët që furnizohen nga Nënstacioni 110/10 Prishtina 3, që ka ndodhur një avari në nënstacionin Prishtina 3” – njoftoi KOSTT, më 03.04.2024.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar mirëkuptim prej qytetarëve të afektuar, deri në sanimin e avarisë.