KOSTT Foto: Evetar Zeqiri/ Facebook

Kryeshefi i KOSTT-it: Në kohë rekorde do të kthehet furnizimi me energji elektrike në zonën në Prishtinë

Kryeshefi i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), Evetar Zeqiri ka deklaruar se “në kohë rekorde” do të kthehet furnizimi me energji elektrike për zonat që kanë mbetur pa rrymë në Prishtinë, që nga e mërkura, më 03.04.2024.

“Të gjitha ekipet e KOSTT janë duke punuar pa nderprerë në bashkëpunim edhe me ekipet e Keds për të energjizuar nënstacionin Prishtina 3 pas avarisë që ndodhi dje. Përshkak të zjarrit të shkaktuar dje, ekipet nuk kanë mundur të intervenojnë menjeherë pa u krijuar kushtet e nevojshme”- ka shkruar Zeqiri në Facebook.

Tutje ai kërkoi ndjesë për konsumatorët e afektuar.

Në anën tjetër, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se ka angazhuar dhjetëra punëtorë që të rikthejë në punë sa më shpejt Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT-it. Që nga mbrëmja e datës 03.04.2024, kjo zonë e Prishtinës ka mbetur pa rrymë, duke u afektuar rreth 10 mijë konsumatorë.

“Ekipet tona tashmë kanë përgatitur asetet e KEDS-it dhe jemi në pritje të përfundimit të punimeve nga ana e KOSTT-it, të cilët gjithashtu janë në vlugun e punës që ta rikthejnë sa më shpejt energjinë elektrike”- thuhet në njoftim.

Më 03.04.2024 nënstacioni elektrik “Prishtina 3” është kapluar nga zjarri dhe si pasojë qytetarët që furnizohen nga kjo pikë kanë mbetur pa energji elektrike.