Foto: KALLXO.com

Gjykimi i 4 të akuzuarve për kanosje dhe nxitje të urrejtjes dhe përçarjes, dëshmojnë ish-prokurori dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit

Vendimi për ndryshimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për të akuzuarin për sulmin në zyrat e KKZ-së në Mitrovicë të Veriut, Dejan Pantiq, kishte qenë arsyeja e reagimit të të paktën 4 personave, të cilët Prokuroria Speciale po i akuzon për kanosje dhe nxitje të përçarjes.

Dy zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi, së bashku me dy të akuzuarit e tjerë, Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, po akuzohen nga Prokuroria për kanosje dhe nxitje të përçarjes për shkak të reagimeve të tyre ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale Afrim Shefkiut dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Mentor Bajraktarit.

Në seancën e së enjtes, 21.11.2024, dëshminë para trupit gjykues e kanë dhënë dëshmitarët të cilët janë edhe në cilësi të të dëmtuarit, ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, dhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Mentor Bajraktari.

I pari që dha dëshminë para trupit gjykues ishte ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu.

Dëshmitari Shefkiu deklaroi se ai dhe familjarët e tij edhe atëherë dhe tani janë të shqetësuar nga përmbajtja e postimeve dhe e grafiteve të cilat janë bërë dhe disa janë ende në Prishtinë.

“Natyrisht se unë dhe familjarët e mi kemi qenë dhe akoma jemni të shqetësuar nga përmbajtja e postimeve si në dispozitivin 1 të aktakuzës po ashtu në dispozitivin 2, veçmas grafitet në qytetin e Prishtinës me përmbajtje si ‘Shtylla e turpit gjyqtari Mentor Bajraktari dhe prokurori Afrim Shefkiu’,. Uroj që asnjë prokurori dhe gjyqtari të mos i bëhen linçime të tilla, po ashtu kërcënime: “Tradhëtia plumbin e ka hak”,… po ashtu edhe me shkru se” “Jo veç plumbin po edhe bombën me ja shti nuk mjafton”- tha dëshmitari Shefkiu.

“Unë e kam kryer detyrën time zyrtare me ndërgjegje të pastër profesionale që nga viti 2000 deri në pensionim. Linçime të tilla nuk kam përjetuar asnjëherë më parë”- shtoi tutje dëshmitari Shefkiu.

I pyetur nga prokurorja Fikrije Fejzullahu se cila sipas tij ishte arsyeja e shkrimeve dhe grafiteve, dëshmitari tha se botërisht dihet kjo ka ndodhë si rezultat i veprimit të ndryshimit të masës së sigurisë e atëherë të dyshuarit tani të akuzuarit Dejan Pantiq.

I akuzuari Egzon Azemi e pyeti dëshmitarin Shefkiu nëse i njëjti ka familjarë në struktura politike, pasi që sipas tij akuza është politike. Ndërkaq lidhur me këtë pyetje trupi gjykues mori aktvendim duke refuzuar pyetjen e të akuzuarit Azemi, duke thënë se këto pyetje nuk i takojnë dëshmitarit, dhe nuk janë në objekt të akuzës.

Dëshmitari Shefkiu tha se lidhur me këto ngjarje fillimisht ishte informuar përmes mediave pastaj ishte thirrur nga Policia e Kosovës që të japë deklaratë.

Tutje i njëjti tha se të akuzuarit nuk i njeh dhe nuk ka pasur ndonjëherë kontakt me ta.

Në seancën e së enjtes u dëgjua edhe dëshmitari Mentor Bajraktari, i cili aktualisht është gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Dëshmitari Mentor Bajraktari tha se e kishin pranuar një raport nga EULEX-i që kishte qenë shqetësues mbi gjendjen e shëndetit të pandehurit Dejan Pantiq, dhe për një kohë kishte ardhur kërkesa nga ana e Prokurorisë për zëvendësim të masës.

Tutje ai tha se edhe marrja e vendimit nga ana e tij si gjyqtar i procedurës paraprake ka qene vendim i rëndomtë që e marrin për të gjithë të pandehurit kur kanë kërkesa të tilla nga Prokuroria duke shtuar se gjykata çdo herë duhet të shkojë me masë më të butë.

Tutje, Bajraktari deklaroi se të njëjtën ditë kishte qenë në konferencën vjetore të KGJK-së dhe nuk kishte pasur qasje në telefon që t’i shohë mesazhet.

“Atë ditë ka qenë edhe konferenca vjetore e KGJK-së dhe për një moment kanë vërshu mesazhet, linçimet e ndryshme për mua dhe prokurorin e çështjes, që kanë qenë forma të ndryshme dhe për mua personalisht ka qenë një befasi dhe një shqetësim pse po ndodh kur vendimi ka qenë në suaza ligjore dhe kushtetuese”- tha dëshmitari Bajraktari.

Dëshmitari tha se shqetësues ka qenë fakti se ata ishin quajtur me fjalë nga më të ndryshmet.

“Ka qenë shqetësues fakti se ne jemi quajtur si ‘Shtylla të turpit’ , jemi quajtur si ‘Tradhtarë’, ‘Aktlirimin e kanë quajtur si tradhti’, ‘Tradhtarëve duhet me ju dhënë plumb’,  ka pasë mesazhe të ndryshme” – tha dëshmitari Bajraktari.

Dëshmitari tha se kishte pranuar mesazhe të shumta prej familjarëve të cilët kishin qenë të shqetësuar dhe i kishin thënë: “Mos dil, mos rri vet!”.

I njëjti tha se kishte pasur kërkesë edhe prej Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësisë së Mbrojtjes së Afërt, që kanë kërkuar matjen e rrezikshmërisë në publik, ndërsa shtoi se ai nuk kishte pranuar që të ketë mbrojtje të afërt, pasi që nuk kishte dashur ta shqetësonte familjen.

Fillimisht në seancë prokurorja Fikrije Fejzullahu bëri precizmin e aktakuzës sa i përket të pandehurve Egzon Azemi dhe Arlind Manxhuka lidhur me pozitën për të cilën të njëjtit akuzoheshin atëkohë “si persona zyrtar”. Prokurorja elaboroi se në kohën kur ishte kryer vepra penale të njëjtit nuk kishin ndonjë pozitë zyrtare por që ishin në cilësinë e aktivistëve në Lëvizjes Vetëvendosje.

Me pëlqimin e palëve aktakuza u konsiderua e lexuar, ndërsa 4 të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Seanca vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurores Fikrije Fejzullahu.

E njëjta në fjalë hyrëse tha se aktakuza është e mbështetur mjaftueshëm në prova materiale dhe jomateriale, si dhe tha se nga përmbajtja e postimeve nga të gjithë të pandehurit ka domethënie nxitëse, përçarëse dhe me karakter urryes në raport me të dëmtuarit që në rastin konkret kanë qenë persona zyrtarë.

Tutje ajo tha se provat materiale kanë ndikuar në integritetin e personave të dëmtuar.

“Këto prova materiale e që realisht edhe i tërë opinioni ka pasur mundësi edhe t’i shohë në rrugë dhe objekte të ndryshme të Prishtinës e që fatkeqësisht qëndrojnë akoma kanë ndikuar në integritetin jo vetëm personal po edhe familjar të të dëmtuarve”- tha prokurorja Fejzullahu.

Tutje, fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësja e të akuzuarit Arlind Manxhuka, avokatja Rozafa Berisha, e cila tha se provat me të cilat është mbështetur Prokuroria nuk kanë asnjë element të veprës penale.

“Provat me të cilat është mbështetur Prokuroria nuk kanë asnjë element të veprës penale për të cilën i mbrojturi im akuzohet, ashtu që pas administrimit të provave nga gjykata do të vërtetohet se i mbrojturi im nuk e ka kryer veprën penale si në aktakuzë”- tha avokatja Rozafa Berisha.

Ndërsa i akuzuari Arlind Manxhuka në fjalën hyrëse deklaroi se reagimi i tij kishte qenë vetëm si qytetar i thjeshtë.

“Shkrimi im dhe reagimi im ka qenë në cilësinë e një qytetari, aktivisti politik përmes shprehjes së lirë, të cilën e garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës…”- tha i akuzuari Arlind Manxhuka.

Fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësja e të akuzuarit Egzon Azemi, avokatja Shpresa Xhema. Ajo fjalën hyrëse e dorëzoi me shkrim dhe të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta duke thënë se i mbrojturi i saj, Egzon Azemi,  në datën kur pretendohet që është kryer vepra penale nuk ka qenë në pozitë zyrtare por qytetar i thjeshtë i Republikës së Kosovës.

Ndërsa i akuzuari Egzon Azemi në fjalën e tij hyrëse tha se procesi është puro politik.

“Unë mendoj që nuk ka shumë nevojë për shpjegim as shumë mbrojtje. Është proces puro-politik. Kemi shkrime në Facebook secili prej nesh këtu me vite të tëra, asnjëra asnjë person për të cilin kemi shkru apo citim historik që kemi shkru nëse kemi shkru, nuk ka prodhuar pasoja ose lëndime fizike për dikë”- tha i akuzuari Egzon Azemi.

Fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Qerim Elshani, avokati Muharrem Kurtaj. I njëjti fjalën hyrëse e dorëzoi në formë të shkruar ndërsa e elaboroi në pika të shkurta duke thënë se nuk ka asnjë provë që e mbështet dyshimin e bazuar se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

I akuzuari Qerim Elshani deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të avokatit të tij.

Fjalën hyrëse e paraqiti edhe mbrojtësja e të akuzuarit Edi Zenelaj, avokatja Shpresa Hasa-Hyseni, e cila tha se e kundërshton aktakuzën dhe dispozitivin më të cilin akuzohet i mbrojturi i saj,  pasi që nuk përmban asnjë element të veprës penale të kanosjes.

Tutje e njëjta shtoi se në rastin konkret kemi të bëjmë me shprehjen e fjalës së lirë.

I akuzuari Edi Zenalaj në fjalën e tij hyrëse tha se pajtohet me fjalën hyrëse të avokates së tij, dhe shtoi se nuk kishte pasur për qëllim të kanosë dikë dhe tha se nuk i njeh të dëmtuarit.

Mbrojtësja e të akuzuarit Edi Zenelaj, avokatja Shpresa Hasa-Hyseni kërkoi që raportimi nga mediat të bëhet me iniciale dhe jo me emra.  Ndërsa lidhur me vërejtjen e avokates Hasa-Hyseni, trupi gjykues mori vendim duke thënë se nuk janë plotësuar kushtet për mbylljen e seancës, duke thënë se mediat janë të lira të raportojnë bazuar në Kodin e Etikës dhe specifikat e raportimit nga Gjykata.

Shqyrtimi fillestar lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 03.04.2024, ku katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përberë nga Arben Hoti- kryetar dhe anëtarët Valon Kurtaj dhe Kushtrim Shyti.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi nga LVV akuzohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.

Dosja e Prokurorisë tregon se dy të akuzuarit secili veç e veç, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim përmes rrjetit të tyre social të Facebookut ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, më 28 dhjetor të vitit 2022.

Mentor Bajraktari si gjyqtar i procedurës parapake dhe prokurori Afrim Shefkiu, kishin ndërmarrë veprim për ndryshim të masës së paraburgimit, në rastin ku i dyshuari për sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut është Dejan Pantiq.

Lidhur me këtë veprim të gjyqtarit dhe prokurorit kishin reaguar publikisht dy të akuzuarit, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi. Sipas prokurorisë, i akuzuari Arlind Manxhuka kishte shpërndarë postime në rrjetin e tij social Facebook me mbishkrimin “Ky aktlirim është akttradhëti” duke vazhduar me postime të tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?”

Kurse i akuzuari tjetër, Egzon Azemi, sipas Prokurorisë kishte bërë postime me mbishkrime “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pashë Toptanit, ndër të tjera Avniu tha “e këtij shkrimi i’a kishte bashkëngjiur fotografitë me përshkrimin “Tradhtarët plumbin e kanë hak”.

Kurse të pandehurit e tjerë Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj akuzohen për veprën penale të kanosjes, secili veç e veç.

Në postimet e lartcekura kishin komentuar fillimisht i akuzuari Qerim Elshani, në postimin e Egzon Azemit ishte shprehur “Atij jo plumbin, po bumen n’goj po dashke me ja lshu qe mos mi jet as copza me hy n’dhe ne token tone!” .

Kurse i akuzuari Edi Zenelaj kishte ndërmarrë aksione duke vendosur grafite në muret më mbishkrimin “Shtyll e Turpit Gjyqtari Mentor Bajratari dhe Prokurorit Afrim Shefkiu”.