Foto: Ministria e Shëndetësisë
MSh: Gjendja e policit të plagosur është jashtë rrezikut për jetën
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjendja e policit të plagosur në veri është jashtë rrezikut për jetën.
Ministria njoftoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia vizitoi policin i cili mbeti i plagosur si pasojë e sulmeve kriminale dhe terroriste në fshatin Banjskë.
“Nga mjekët mbikëqyrës në QKUK u njoftua se gjendja shëndetësore e policit të plagosur është stabile dhe ai do të vijojë të jetë nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësor”- thuhet në njoftim.
Ministria thekson se polici i plagosur pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme është jashtë rrezikut për jetë.
“Ministri Arben Vitia i uroi policit të plagosur shërim të shpejtë! Ndërsa i shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së kolegut të tij, Rreshterit që ra sot në krye të detyrës në mbrojtje të rendit, të sulmuar nga grupe kriminale gjatë një sulmi terrorist”.
Pas ngjarjeve të ndodhura në Banjskë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, thotë se ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, veçanërisht atë të Mitrovicës dhe Vushtrrisë.
Mëngjesin e sotëm në fshatin Banjska të Zveçanit është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.