Pamje teksa KFOR-i i pengon të largohen gazetarët që sulmohen në Leposaviq. FOTO: Screenshot RTV Dukagjini.

Momenti kur gazetari i ofrohet KFOR-it për ndihmë, por nuk e lejojnë të fshihet pas tyre

Mediat kosovare janë sulmuar sot gjatë raportimit për situatën në Leposaviq.

RTV Dukagjini ka siguruar pamje gjatë kohës kur ndodhte sulmi ndaj gazetarëve.

Gjatë kohës kur gazetarët vraponin për t’iu larguar rrezikut, në video shihen ushtarët e KFOR-it që ua zënë rrugën gazetarëve duke i penguar ata që të largohen.

Gjithashtu edhe AGK reagoi duke kërkuar nga KFOR që të “paktën” mos t’i pengojnë gazetarët në raportim

‘Njëherësh, duke qenë që i gjithë sulmi ka ndodhur në prani të trupave të KFOR’it, dhe të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin, kërkojmë nga NATO Kosovo Force – KFOR që të mos i pengojnë gazetarët në raportim, meqë siguri nuk po ju ofrojnë”- thuhet në reagim të AGK-së.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka rrëmbye”, siç thonë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.

Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë.