Foto: Nisma Socialdemokrate/Facebook

Mjeku i ndaluar për marrje ryshfeti, në vitin 2018 i ishte bashkuar NISMA-s

Sami Delijaj, mjeku i ndaluar sot për marrje ryshfeti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në vitin 2018 i ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate.

Një postim në Facebook që ishte shpërndarë nga kjo parti më 5 tetor 2018, tregonte se asokohe kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi dhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh kryetar i degës së NISMA Socialdemokrate në Prishtinë, Skender Reçica, kishin pritur në takim ortopedin Sami Delijaj.

Ata ishin njoftuar me planprogramin e NISMA Socialdemokrate, e kryetari i degës së NISMA-s në Prishtinë, Reçica i kishte “uruar mirëseardhje duke e falenderuar për besimin e dhënë ndaj subjektit politik përmes bashkimit në strukturat e NISMA Socialdemokrate”.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar me Albert Maxhunin nga NISMA Socialdemokrate. Ai ka thënë se Delijaj asnjëherë nuk ka pasur ndonjë pozitë drejtuese në këtë parti.

“Sami Delijaj nuk ka pas ndonjëherë ndonjë pozicion në NISMA. Ai nuk ka garu e as nuk ka marrë pjesë në organet drejtuese të NISMA-s, po tash a e ka votu, a e ka mbështet NISMA-n, atë mundet me bo çdo qytetar i lirë” – ka thënë ai.

“Ai ka mujtë me iu bashku NISMA-s, por në strukturë nuk ka qenë asnjëherë” – shtoi tutje Maxhuni.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka njoftuar se ka urdhëruar ndalimin e mjekut.

Në njoftimin e Prokurorisë është thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë çështje penale.

Prokuroria urdhëron ndalimin e një mjeku në QKUK, dyshohet për ryshfet