Kuvendi i Kosovës, 24 mars 2022/ Foto: KALLXO.com
Miratohet Projektligji për vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura
Me 64 vota për asnjë kundër dhe një abstenim, Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive të pavarura.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka prezantuar projektligjin para deputetëve.
“Me këtë projektligj akademia e drejtësisë nga llogaridhënia që ia jep Kuvendit bartet në sistemin gjyqësor gjegjësisht në KGJK. Agjencia për ndihmë juridike falas bartet nga Kuvendi në Ministri të Drejtësisë. Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale bartet nga Kuvendi të cilit i jep llogari në Ministrinë e Kulturës. Autoriteti i Aviacionit Civil që aktualisht është agjencia e pavarur që i përgjigjet Kuvendit, bëhet agjenci rregullatore në kuadër të Qeverisë me elemente të mbikëqyrjes së performancës nga ministri kompetent për transport”, ka thënë ministri Sveçla.
Ky projektligj është kundërshtuar nga partitë opozitare PDK dhe LDK .
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se si grup parlamentar nuk e mbështesin këtë projektligj.
“Pavarësisht qëndrimeve është në kundërshtim me atë që kemi pasur në komision. Jemi për reformën për administratë publike por forma si ka ardhur është kundërshtuar. Shprehim kundërshtimin tonë sepse nuk ka praktikë më të mirë dhe ministri donë të vendos si i teket atij”, ka thënë Lushtaku.
“Qeveria po tregohet e paaftë dhe po shkel të gjitha ligjet që ka në dispozicion Kuvend,” shtoi ai.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se si LDK nuk e përkrah këtë projektligj sepse sipas tij është praktikë “e mbrapshtë”.
“Praktikë e mbrapsht që mes tjerash krijon edhe vështirësi për qasje në ligje. Ministri që merret me administratën publike në Kosovë, tani merret si ta rregullojë statusin e agjencive të pavarura që materie kanë çështjet kushtetuese. Ua ndërron statusin e prek pavarësinë funksionale, buxhetore, llogaridhënëse”, ka thënë Selmanaj.
Për të mos u ndalë me kaq kjo ministri shkon e prek edhe akademinë e drejtësisë që i takon krejt një institucioni tjetër. Nuk ka të drejtë që një ministër që del në konferencë për policinë të na tregojë si të ndryshojë statusin e një institucioni kulturor.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se ky ligj shumë pak i prekë disa agjencione.
Ai ka thënë se nuk mundet që me një ligj të vetëm me u racionalizu edhe katër ligje tjera.
Tahiri ka thënë se me këtë interpretim që u dha në Kuvend, ky projektligj do të bie.