Ministria e Shëndetësisë deklarohet për vendimin e Kushtetueses për karantinimin e Prizrenit

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila konstatoi se vendimi për shpalljen zonë karantinë në Komunën e Prizrenit është anti-kushtetues.

Kjo ministri përmes një komunikate për media ka sqaruar se të gjitha masat që kanë marrë vijnë si rekomandim direkt i IKSHPK-së se që Instituti ka konsideruar që Prizreni konsiderohet i infektuar ose drejtpërdrejt i rrezikuar nga përhapja e infeksionit COVID-19.

Sipas tyre, puna u është bërë gati e pamundur në këtë kohë kur opozita në vazhdimësi ka refuzuar të bashkëpunojë në raport me nismat legjislative.

“Megjithatë, ne mbesim të përkushtuar në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por po me aq përkushtim ne veprojmë për respektimin e të drejtës në jetë – e cila është e drejtë absolute. Të gjithë së bashku do të organizohemi më së miri edhe për procedurat e mbi të gjitha për mbrojtjen e shëndetit publik”, thuhet në komunikatën e ministrisë së udhëhequr nga Arben Vitia.

PDK-ja i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për interpretimin e përputhshmërisë së vendimit katër vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Kjo parti pas vendimit kërkoi edhe nisjen e hetimeve.

Vendimin për shpalljen “zonë karantinë” në Komunën e Prizrenit, e shpalli në kundërshtim me Kushtetutën.

Kurse, vendimet “për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19” në Komunën e Prizrenit, Dragashit dhe Istogut, janë në përputhshmëri me Kushtetutën, me përjashtim të pikave përkatëse të dispozitivit të cilat përcaktojnë kundërvajtjet administrative.

Kushtetuesja e shpall jokushtetues vendimin e MSh-së për shpalljen e Prizrenit zonë karantinë