Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Kulturës publikon listën paraprake të projekteve të përzgjedhura kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka publikuar listën paraprake të fituesve nga thirrja për mbështetje të projekt-propozimeve kulturore për vitin 2022, në art dhe trashëgimi kulturore. 

Janë 26 projekt-propozime të OJQ-ve dhe 9-të të individëve që janë përzgjedhur për të marrë mbështetje financiare nga MKRS për këtë vit. 

Përzgjedhja është bërë në bazë të pikëve që projekt-propozimet kanë marrë nga komisioni përzgjedhës i ministrisë. 

Sipas njoftimit të MKRS-së, përfituesit e kësaj liste kanë përmbushur kriteret e thirrjes për mbështetje të projekteve kulturore. 

Subjektet jo përfituese kanë mundësi ankesa, sipas rregullores për mbështetje të projekteve të OJQ-ve dhe individëve.  

Aplikimi në këtë thirrje ishte mundësuar vetëm online, por ishte përcjellë me mjaft probleme. 

Sipas njoftimit të MKRS-së, për shkak edhe të problemeve që ishin hasur gjatë aplikimit online, subjektet e refuzuar mund të ushtrojnë ankesë duke dëshmuar se ngarkimi i dokumentacionit të kërkuar sipas kritereve të thirrjes, është penguar nga faktorë teknik/teknologjik. 

KALLXO.com kishte raportuar për vështirësitë që kishin hasur OJQ-të dhe individët gjatë aplikimit. Duke u bazuar edhe në ankesat e aplikuesve, MKRS kishte shtyrë afatin e aplikimit.