Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ankesa të shumta lidhur me thirrjen e MKRS-së për mbështetje të projekteve kulturore

Krijues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend ka dalë me kritika të shumta lidhur me thirrjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetje të projekteve për Organizatat jo-Qeveritare dhe individë në fushën e artit dhe të trashëgimisë kulturore.

MKRS ka shtyrë deri këtë fundjavë afatin e kësaj thirrje, por mënyra e aplikimit dhe kriteret që duhet plotësuar për aplikim po cilësohen si tepër burokratike dhe me mjaft paqartësi nga drejtues të OJQ-ve dhe krijuesit.

Për dallim nga vitet e kaluara, MKRS ka hapur një thirrje të përbashkët për mbështetje të projekte të OJQ-ve dhe individëve në fushën e artit dhe të trashëgimisë kulturore.

Të interesuarit mund të aplikojnë vetëm online përmes platformës e-kosova, në 5 kategoritë e thirrjes.

Megjithatë shumë prej aplikuesve për përfitimin e mbështetjes nuk kanë arritur të realizojnë aplikimet e tyre.

Hapja me vonesë e thirrjes, grumbullimi i një varg dokumentesh për aplikim sipas kritereve të kërkuara dhe vështirësitë e aplikimit online, po dalin të jenë sfidë për aplikuesit.

Por, për MKRS-së thirrja është bërë në bazë rregulloreve ekzistuese dhe aplikimi online bëhet për të lehtësuar aplikimin.

Vështirësitë e aplikimit online

Reshat Sahitaj, kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptar, ka thënë për KALLXO.com se pavarësisht se i ka ngarkuar të gjitha dokumentet e kërkuara në aplikacion, vazhdimisht aplikimi po i dështon.

“Që nga dita e shpalljes së tij e deri sot, 90% e projekt-propozimeve ende nuk i kemi plotësuar, sepse sistemi online nuk po i pranon edhe pse të gjitha rubrikat dhe ngarkimet po i plotësojmë”, ka thënë Sahitaj.

Ai dyshon se ky sistem mund të jenë bërë qëllimisht me gabime.

“Ky sistem online ose është bërë me gabime të paqëllimshme ose është bërë me gabime të qëllimshme që të kufizojnë numrin e konkurrencës e t’i zgjedhin vetëm përkrahësit e partisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, aktori Vedat Haxhiislami ka thënë se kriteret e vendosura për aplikim në shumën e paraparë për subvencionim do të lë pa mbështetje një pjesë të artistëve, sidomos, siç ka thënë ai, të atyre që punojnë jashtë ombrellës së OJQ-ve.

“Koncentrimi i subvencionimit vetëm në disa OJQ, duke ia pamundësuar një pjese të madhe të organizatave të vogla dhe artistëve të lirë të financohen, po del që Ministria e Kulturës më mirë është dashtë të quhet Ministri e OJQ-ve”, ka thënë Haxhiislami.

Shkrimtari Bujar Meholli, pavarësisht vështirësive për aplikim, thirrjen e MKRS për mbështetje të projekteve kulturore e sheh si mjaftë të dobishme për gjallërimin e jetës kulturore në vend.

“Fjala vjen, kategoria e dytë, ku përfshihen ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore, ka rëndësi të veçantë/kruciale për jetën socio-politike; aty përfshihen festivalet muzikore, filmat, teatrot, panairet… nevoja esenciale është që shteti fokusin ta vendosë këtu”, ka thënë ai.

Thirrja sipas rregulloreve

Po, për MKRS-së thirrja është bërë në bazë rregulloreve ekzistuese për mbështetje të projekteve në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë.

“Thirrja është bërë në bazë të rregullores ekzistuese për mbështetje dhe financimin e projekteve kulturore të OJQ-ve, (rreg.  Nr. 04/2017 dhe nr.01.2015).  Për dallim nga viti e kaluar aplikimi duhet të bëhet online, pikërisht për të lehtësuar aplikimin e palëve”, thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

MKRS se thotë se për të lehtësuar aplikimin e ka shtyrë afatin e aplimimit deri ne fundjavë.

Deri më tani, MKRS thotë se nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur për thirrjen përveç kërkesve për sqarime rreth proceduarve për aplikim në platformën e-kosova.

Ministria e Kulturës ka hapur thirrje për mbështetje të projekteve kulturore