Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Krasniqi liron nga detyra ekipin menaxhues për draftin e Asociacionit

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se i ka liruar nga detyra anëtarët e ekipit menaxhues pas prezantimit të djeshëm të draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status”- ka shkruar ai në Facebook.

Ekipi menaxhues, përbëhej nga të Danijela Vujiqiq, Jelena Boloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq.

Dje u mbajt takimi i rradhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti, presisdentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim u prezantuar nga ky ekip drafti i asociacionit, për të cilin kryeministri Kurti tha është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e ligjshmërinë.

“Çfarë dëgjuam e lexuam, është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën, ligjshmërinë, demokracinë, vlerat evropiane, të drejtat e njeriut, të pakicave sipas standardeve evropiane dhe përkundër kësaj do jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje andaj me këtë rast propozova një draft-vizion si kryeministër i Kosovës përkitazi me nenin 7 të marrëveshjes bazike duke pasur në konsideratë edhe nenin 10”- ka deklaruar Kurti.

Nikoqiri i këtij takimi, Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se është bërë hap i rëndësishëm simbolik për themelimin e Asociacionit.

“Kryeminsitri Kurti ndau me ne këndvështrimemt e tij për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë dhe siç pritej këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket natyrës së këtij asociacioni, nuk është se kam pritur diçka tjetër isha i bindur që palët do të kenë këndvështrime të ndryshme sa i përket asociacionit”- ka thënë Borrell.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova nuk do ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti: Draft-statuti për Asociacionin është fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën