Foto: Elbert Krasniqi, Facebook

Ministri Krasniqi i shkon në zyrë kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Ministri  i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është takuar me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Krasniqi ka thënë se gjatë këtij takimi diskutuan për angazhimin në shërbim të qytetarëve dhe planet për zhvillimin ekonomik lokal përmes iniciativave konkrete.

Kryetari Hetemi prej muajit maj, kur filluan tensionet në veri, është duke qëndruar i mbyllur brenda në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit.

Lulzim Hetemi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Leposaviqit, në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë komunitet shumicë në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, sot ka folur për udhëzimin administrativ i cili pritet të rregullojë çështjen e kryetarëve të komunave në rastet kur ata do të shkarkohen nga pozitat e tyre.

“Si qeveri kemi pasë angazhim që ky udhëzim të kryet në afate të shpejta. Që në fillim kemi shprehë gatishmëri për zgjedhje. Ligji për vetëqeverisje ka qenë baza e këtij udhëzimi administrativ. Kemi pasë takime me ambasada OSBE dhe zyra e BE-së” – tha Krasniqi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.