Trepça, Foto: KALLXO.com
Minatorët e Trepçës sërish telashe me paga
Minatorët e “Trepçës” kanë bërë të ditur se sërish nuk e kanë marrë pagën e plotë për këtë muaj.
Minatori Miftar Mehmeti ka thënë për KALLXO.com se ndihen “të prerë në besë” pasi që nuk është respektuar marrëveshja e dhënë që pagat të realizohen nga data 6 deri me datën 10.
“8 për qind të pagës ende nuk e kemi marrë. Nuk e di se çka do të ndërmarrim ne minatorët por jemi të prerë në besë. Sepse marrëveshja ndër qeveri, menaxhment dhe grevistë ka qenë prej 6-10 data e fundit me u ekzekutu paga dhe këta nuk e kanë mbajt marrëveshjen”- ka thënë Mehmeti.
E problemin me vonesën e pagave dhe mosrealizimin e pagës së plotë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Ibrahim Januzi, Kryetar i Sinidikatës së Minatorëve.
“Nuk është realizu paga e plotë ende. 8 për qind e pagës nuk është realizu. Prej 6-10 është parapa me dalë paga e plotë. Ka fillu me u shkel marrëveshja mes bordit dhe minatorëve”- theksoi Januzi.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Minierës së Trepçës, Bahri Karaça thotë se përgjigje më të detajuara mund të japi Kryeshefi i Menaxhmentit, Enis Abdurrahmani.
“8 për qind nuk është realizu. Jam drejtori që kam pasë problem. Jam në pushim mjekësor ende. Jam në ngjarje por jo krejt. E kam lënë menaxherin atje , Enis Abdurrahmanin”- ka thënë ai.
KALLXO.com pati raportuar për sulmin ndaj Karaçës.
Në lidhje me vonesat e pagave për të cilat KALLXO.com pranoi ankesa nga minatorët ka provuar të marrë përgjigje nga Bordi Mbikqyrës gjithashtu edhe nga Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Enis Abdurrahmani mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Minatorët e Ndërmarrjes Trepça kishin arritur një marrëvëshje me Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Trepçës pas grevës 10-ditëshe.
Në letrën e minatorëve drejtuar Bordit Mbikqyrës, kërkesat e tyre ishin: 1. paga të realizohet nga data 6 deri në datën 10 të muajit; 2. të shpallet konkursi i KE-së; 3. të përmirësohen kushtet e sigurisë dhe 4. të tërhiqen vendimet e nxjerra gjatë grevës.
Ndërsa Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve në letrën zyrtare të publikuar nga ndërmarrja “Trepça” patën thënë se kanë trajtuar kërkesat e minatorëve.
“Ne Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve pajtohemi me pikat 1,2 dhe 3. Kërkesa e fundit e letrës tuaj ju sigurojmë që do ta analizojmë dhe shqyrtojmë në vijimësi vendimet e KE-së, përfshirë ato nga data 27.10.2023”- pati thënë Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Trepçës.
KALLXO.com pati raportuar për grevën e minatorëve e cila filloi me datë 24 tetor.
Kërkesat e grevistëve ishin realizimi pagës mujore me kohë nga data: 06 – 10 [në fillim të çdo muaji]. Shkarkimi i menaxhmentit (kryeshefit) dhe sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës.
Ndërsa ata patën përfunduar grevën me datë 3 nëntor 2023, ku Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve, Gani Osmani pati thënë se në minierën e Stan Tërgut kanë qenë disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe sipas tij kanë arritur një marrëveshje me punëtorët e Trepçës rreth tre kërkesave.
https://kallxo.com/lajm/perfundon-greva-e-minatoreve-ne-stan-terg/