Trepça, Foto: KALLXO.com

Sulmohet fizikisht U.D drejtori i minierës në Stan Tërg

Paraditen e së enjtës, në zyrën e tij të punës, është sulmuar fizikisht ushtruesi i detyrës së drejtorit të minierës në Stan Tërg, Bahri Karaqa.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë U.D drejtori i minierës.

“Po, është ardhë, më ka sulmuar një në zyrë papritmas, m’i ka dhënë do grushte në kokë. Ai është një punëntor i Trepçës” – ka thënë Karaqa për KALLXO.com.

Arsyeja sipas UD drejtorit të minierës është sepse të njëjtit dje i është shqiptuar një verejtje me shkrim për mospërfillje të urdhrave.

Aktualisht, Policia e Kosovës është në vend të ngjarjes.

Gjatë muajit të kaluar, për 10 ditë me radhë, minatorët në minierën e Stan Tërgut protestuan duke grevuar.

Ndërsa, që gjysma e këtij viti, një drejtor i minierës dha dorëheqjen, një u shkarkua, e një tjetër ofroi dorëheqjen.

Më 1 tetor të këtij viti, KallxoPernime publikoi hulumtimin “Trepça në Qeverinë Kurti”, emision i cili shpërfaqi kushtetet e rënda të punës në minierën e Stan Tërgut dhe ankesat dhe kërkesat e minatorëve.

Në fund të muajit shtator, Qeveria e Kosovës, shkarkoi Bordin Mbikëqyrës të kësaj ndërmarrje, ndërsa emëroi një bord të ri të përkohshëm.

Horizontet pa shpresë

Në anën tjetër, Enis Abdurrahmani, kryeshef në detyrë i “Trepçës” për më shumë se dy vite mban pozitën e U.D. kryeshefit në këtë ndërmarrje.

Gjatë këtij viti, po ashtu, “Trepça” u përball me rënje të prodhimit e zvogëlim të të hyrave. Qeveria që drejtohet nga Albin Kurti ndau disa herë subvencione për t’i mbuluar pagesat e pagave të punëtorëve të “Trepçës”.

Vetë Kurti, sa ishte në opozite kritikonte paraardhësit e tij për gjendjen në “Trepçë”. Ndërsa, kur erdhi në pushtet premtoi investime deri në 70 milionë euro, por të njëjtat nuk janë realizuar ende.

Çfarë premtonte Albin Kurti për “Trepçën”?