VIDEO - Amnistia e vrasjes, historia e parashkrimit të dënimit

Një 21-vjeçar ishte vrarë mbrëmjen e 25.01.2009. Jeton Rexhaj ishte vrarë me një plumb në kokë dhe ishte lënë për orë të tëra brenda veturës së tij, deri sa e njëjta u vërejt nga një qytetar, që kishte njoftuar policinë.

Në një proces në të cilën janë të përfshira të gjitha institucionet e rendit dhe drejtësisë, personi që kreu vrasjen arriti që të lirohej nga paraburgimi fillimisht, e më pas edhe të arratisej, gjë e cila i mundësoi të njëjtit të mos vuante dënimin prej 9 vjet e dy muaj burgim.

Në kohën kur ishte kryer vrasja, dorasi ishte i mitur ndërsa kishte qëndruar fillimisht për dy vjet në masën e paraburgimit.

Kjo masë ishte kundërshtuar në atë kohë nga mbrojtja dhe me një vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, i njëjti ishte liruar nga paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e vendimit për dënimin e tij.

Më 08.10.2010 i mituri ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prizren për veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll e posedim të armës pa leje.

“Ndaj të njëjtit është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 9 vitesh e 2 muaj burgim”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Prizrenit për ekipin e KALLXO.com.

Çështja e paraburgimit të të miturit ishte dërguar si procedurë për trajtim në Gjykatën Supreme e që kjo e fundit pastaj mori versionin e saj për rastin.

“Me datë 27.01.2011 të miturit nga Gjykata Supreme i është ndërprerë paraburgimit, sipas të cilit, i mituri nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se 12 muaj nga dita e arrestimit”- thuhet tutje në përgjigjet e Gjykatës së Prizrenit për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar edhe nga Gjykata Supreme përgjigje për këtë çështje.

“Përveç aktvendimit për lirim nga paraburgimi, ekziston edhe aktgjykimi APM.nr.20/2010, përmes të cilit Gjykata Supreme ka vendosur lidhur me ankesen e mbrojtësit të të miturit, të ushtruar kundër aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Prizren, përmes të cilit aktgjykim ka aprovuar ankesën e mbrojtësit, ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm përkitazi me cilesimin juridik të veprës penale të vrasjes së rënde, ashtu që kjo vepër, juridikisht cilësohet si vepër penale vrasje e rëndë nga neni 147.par.1.pika 3 te KPK-se. Pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pandryshuar”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Në përgjigje thuhet edhe se me 09.08.2011, Kryetari i Gjykatës Komunale në Suharekë, kishte marrë aktvendim dhe i kishte refuzuar kërkesën të miturit për shtyrjen e vuajtjes së dënimit.

“Me datë 22.08.2011, Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prizren, ka refuzuar ankesën e mbrojtësit, dhe është vërtetuar vendim i Gjykatës Komunale Suharekë, me të cilën është refuzuar kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit. Gjyqtari për ekzekutimin e sanksioneve penale”- thuhet tutje në përgjigje.

Gjykata në atë kohë i kishte dërguar ftesën për vuajtjen e dënimit të miturit por i njëjti nuk i ishte përgjigjur ndaj edhe ishte lëshuar edhe një urdhër arrest më 01.09.2011.

“Me datë 23.07.2012, Gjykata ka lëshuar letër rreshtim duke i’u shpërndarë të gjitha pikave kufitare dhe njësive patrulluese të Policisë së Kosovës. Me datë 08.06.2012, Gjykata ka lëshuar letë rreshtim ndërkombëtar”- thotë Gjykata në Prizren.

Në bazë të letër rreshtimit, Gjykata ka njoftuar se Policia e Kosovës ka dorëzuar disa njoftime në gjykatë e që ka njoftuar institucionin se në 8 raste nuk kanë arritur që të lokalizojnë të dënuarin tashmë dhe nuk kishin shënime të sakta për vendndodhjen e tij.

E deri te parashkrimi Gjykata e Prizrenit thotë se erdhi pasi dënimi i shqiptuar me burgim për të mitur mbi 5 vite, nuk mund të ekzekutohet pasi të kenë kaluar periudha kohore prej pesë vitesh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit (vjetërsimi i ekzekutimit të dënimit).

“Pasi që në rastin konkret, nga dita e plotfuqishmërisë së Aktgjykimit (26.01.2011), kishin kaluar më shumë se 7 vite, Gjykata Themelore në Suharekë, me datë 09.11.2018 ka mare aktvendim, është pezulluar procedura e ekzekutimit të sanksionit penal – dënimit me burg ndaj të gjykuarit për shkak të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit”- ka njoftuar Gjykata e Prizrenit përmes një përgjigje KALLXO.com.

Meqenëse ishte parashkruar dënimi ishte marrë vendim edhe që letër rreshtimet dhe urdhër arresti të tërhiqeshin.

Në anën tjetër Policia e Rajonit të Prizrenit ka thënë në disa përgjigje për KALLXO.com se edhe pse kanë pasur informacione se i dënuari nuk ishte në Kosovë prapë kanë kryer kontrolla në shtëpinë e tij.

Një tjetër e gjetur në këtë rast është edhe se i dënuari njëherë ishte arrestuar, por që shteti zviceran kishte refuzuar ekstradimin për shkak të parashkrimit të dënimit.

“Përmes shkresës së datës 11 korrik 2013, gjykata e lartcekur ishte njoftuar për lëshimin urdhër kërkimit ndërkombëtar në Interpol. Në vitin 2017, i njëjti ishte arrestuar në Zvicër, sipas urdhër kërkimit ndërkombëtar të Interpolit. Ministria e Drejtësisë menjëherë përmes dhe përkitazi me nenin 40 të ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale kishte parashtruar kërkesë për ekstradim përmes shkresës së datës 22 shkurt 2017.Përmes shkresës së datës 14 mars 2017, autoritetet zvicerane kishin njoftuar për refuzimin e ekstradimit, sepse sipas ligjit të tyre lënda ishte parashkruar”- thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Drejtësisë për KALLXO.com.

Sipas MD-së, Gjykata Themelore në Prizren Dega në Suharekë përmes shkresës së datës 9 nëntor 2018 kishte kërkuar tërheqjen e urdhër kërkimit ndërkombëtar dhe kjo kërkesë ishte përcjell në Interpol.

I dënuari sipas familjarëve të tij është kthyer në Kosovë tash e katër vite dhe nuk ka pasur ndonjë problem kjo pasi që dënimi i tij ka përfunduar si i parashkruar.

KALLXO.com solli rrëfimin e babait të Jeton Rexhajt, Bislimit i cili nuk ishte në dijeni asnjëherë se ndaj personit të dënuar ishte parashkruar dënimi.

Ai u paraqit në KALLXO.com duke ngritur një sërë akuzash se sistemi i drejtësisë nuk po e arreston të dënuarin ndonëse sipas tij ende po kërkohej.