Ilustrim

Qeveria miraton nismën për bashkëpunim gjyqësor mes Kosovës dhe Austrisë

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 05.03.2024 është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim gjyqësor në çështje penale në mes të Kosovës dhe Austrisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se kjo nismë mbështetet në Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe si e tillë është e bazuar në aspiratën dhe zotimin e Kosovës që të zhvillojë partneritet evropian dhe të kontribuojë në afirmimin e vlerave evropiane në bashkëpinimin bilateral dhe ndërkombëtar.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi dhe thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në gjyqësor në çështje penale, të ekstradimit dhe transferimit të personave të dënuar në mes të dy vendeve, duke lehtësuar dhe harmonizuar procedurat ligjore për bashkëpunim sa më të frytshëm dhe efikas” – tha Sallahu para kabinetit të ministrave.

Sipas Sallahut, me këtë marrëveshje specifikohet ndima që ofrohet në çështjet penale dhe kushtet për ofrimin e ndihmës kur ajo mund të refuzohet.

“Me këtë marrëveshje specifikohet ndihma që ofrohet në çështje penale përfshirë kushtet për ofrimin e ndihmës në rastet kur ndihma mund të refuzohet, legjislacionit që zbatohet gjatë ofrimit të ndihmës, si dhe rregulla procedurale që duhet ndjekur” – ka thënë ndër të tjera Sallahu.