Ilustrim

Qeveria miraton projekt-rregulloren për organizimin e shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 05.03.2024 ka miratuar projekt-rregulloren për organizimin e shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve.

Duke u bazuar në këtë projekt-rregullore, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka shpjeguar se këto shtëpi do të krijohen në territoret ku funksionojnë gjykatat dhe prokuroritë themelore dhe do të funksionalizohen pranë Qendrave për Punë Sociale.

“Projekt-rregullorja ka për qëllim përcaktimin e organizimit të shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve. Në lidhje me këtë, të gjitha masat dhe veprimet që ndërmerren nga profesionistët ndaj fëmijëve në shtëpitë përkatëse udhëhiqen nga parimet e qasjes miqësore, reagimit urgjent dhe veprimeve disiplinore duke përfshirë edhe koordinimin me institucionet tjera relevante, në mënyrë që ofrimi i shërbimeve për fëmiijët t’i nënshtrohet parimit të efikasitetit, që si qëllim të fundit ka mbrojtjen e interesit të fëmijës” – ka thënë Sallahu.

Sipas tij, kjo projekt-rregullore do të jetë funksionale 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.

“Do të ofrohen shërbime gjithëpërfshirëse dhe të arritshme që përmbushin nevojat specifike të fëmijës, prindit apo kujdestarit të tij; shërbime këshilluese dhe strehim të përkohshëm të fëmijës i cili nuk ka mundësi të kthehet në shtëpi”, ka deklaruar Sallahu.

Ai bëri të ditur se projekt-rregullorja është në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe legjislacionin tjetër në fuqi.