Mbi 130 aplikime për mbështetje financiare në Qendrën Kinematografike

Qendra Kinematografike e Kosovës ka publikuar listën e projekteve filmime të cilat i kanë plotësuar kriteret administrative në garën për të përfituar mbështetje publike për realizmin e tyre.

Konkursi i QKK-së për subvencionimin e projekteve filmike ishte hapur më 20.12.2023 dhe zgjati deri më 16.02.2024.

Sipas QKK-së, 133 projekte filmike kanë aplikuar për subvencionim, në 11 kategori të konkursit.

“Pas shqyrtimit të projekteve filmike, komisioni ka konstatuar se sivjet në konkurs kanë aplikuar gjithsej 133 projekte, numër që shënon ngritje rekord në krahasim me vitet e kaluara” – thuhet në njoftimin e QKK-së.

Sipas listës, në kategorinë për bashkëprodhim minoritar, kriteret i kanë plotësuar 12 projekte.

Për film të metrazhit të gjatë – të regjisorëve debutant, 5 projekte, për film të metrazhit të gjatë, artistik mbi 60 minuta, 14 projekte.

Ndërkaq për film të metrazhit të gjatë dokumentar, 9 projekte filmike, kurse 31 projekte i kanë plotësuar kriteret për film të metrazhit të shkurtër artistik.

9 projektet për film të metrazhit të shkurtër dokumentar dhe 6 për film të shkurtër të animuar.

Për zhvillim të skenarit për film të metrazhit të gjatë (artistik dhe të animuar) kriteret i kanë plotësuar 25 projekte dhe 7 projekte për postproduksion për film të metrazhit të gjatë artistik dhe dokumentar.

Zhvillim të projektit, për film të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar dhe të animuar) 4 projekte dhe 9 projekte për film të shkurtër studentor.

Sipas, QKK-së, me përfundimin e procesit të punës së komisionit të konkursit, do të emërohet juria vlerësuese profesionale e cila do vazhdojë shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve filmike.

Sipas ligjit për buxhetin, për QKK-në do të jenë në dispozicion 1 milion e 600 mijë euro për mbështetje të projekteve filmike për 2024.