Qendra Kinematografike emëron jurinë e konkursit për vlerësimin e projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar jurinë vlerësuese, e cila do t’i vlerësojë projektet filmike të cilat kanë aplikuar në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2023.

“Përzgjedhja e jurisë sjell një përzierje të larmishme profesionistësh dhe kineastësh vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët do të sjellin këndvështrime profesionale si dhe përvojën e tyre të gjerë në procesin vlerësues të kategorive, atë të filmit të metrazhit të gjatë (Iris Elezi, Wouter Jansen, Izer Aliu, Ales Pavlin dhe Ema Andrea) atë të filmit të shkurtë (Melihate Qena, Kreshnik Shala, Erenik Beqiri, Blerina Hankollari dhe Gazmend Bajri) dhe bashkëprodhimin minor për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar”- thuhet në njoftimin e QKK-së.

Konkursi i QKK-së për subvencionimin e projekteve filmike ishte hapur më 20.12.2023 dhe zgjati deri më 16.02.2024.

Sipas QKK-së, 133 projekte filmike kanë aplikuar për subvencionim, në 11 kategori të konkursit.

Buxheti i QKK-së për 2024, për subvencionim të projekteve filmike për 2024 është 1 milion e 600 mijë euro.