QKK-ja hap konkursin për mbështetje të projekteve filmike

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur sot konkursin për mbështetje të projekteve filmike në 12 kategori.

Përmes një njoftimi, QKK-ja ka bërë të ditur se këtë vit këtij konkursi i janë shtuar edhe dy kategori të reja: kategoria e zhvillimit të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar si dhe kategoria për film të shkurtër studentor.

Po ashtu, sipas QKK-së, risi e këtij konkursi është edhe zgjerimi i mbështetjes në bashkëprodhimin minor, ku këtë vit përfshihet edhe filmi dokumentar.

“E njëjta vlen edhe për kategorinë post-produksion për film të metrazhit të gjatë, të cilit i shtohet edhe filmi dokumentar. Ndërkaq, tash e tutje, skenaristët kanë mundësinë të aplikojnë për mbështetje si skenaristë të pavarur në kategorinë zhvillim i skenarit”-thuhet në njoftimin e QKK-së.

Kineastët këtë vit kanë mundësi të konkurrojnë me projektet e tyre në kategoritë e më poshtme:

 Film i metrazhit të shkurtër artistik

– Film i metrazhit të gjatë – për regjisorët debutantë

 Film i metrazhit të gjatë – dokumentar

– Film i metrazhit të gjatë – artistik

– Film i shkurtër studentor

– Zhvillim i skenarit për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe i animuar

– Film i metrazhit të gjatë – i animuar

– Post-produksion për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe dokumentar

– Bashkëprodhim minor për film të metrazhit të gjatë 

– Zhvillim i projektit për film të metrazhit të gjatë – artistik, dokumentar dhe të animuar

– Film i shkurtër – i animuar

– Film i metrazhit të shkurtër – dokumentar.

Aplikimi në këtë konkurs bëhet online përmes faqes zyrtare të QKK. Afati i aplikimit për mbështetje të projekteve filmike zgjat deri më 24.1.2024.

Sipas Ligji për buxhetin për 2024, QKK ka në dispozicion rreth 1 milion e 600 mijë euro për mbështetje të projekteve filmike.

 

Konkursi për  mbështetje të projekteve filmik është shpallur pas miratimit të Ligjit të ri për kinematografinë dhe rregullores nr. 02/2023 për konkurset dhe mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audio-vizuale dhe rregullores nr. 03/2023 mbi punën e jurive vlerësuese dhe komisioneve për mbështetje të projekteve konkurruese.