U vazhdohet paraburgimi dy të dyshuarve për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Dy të dyshuarve të arrestuar për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu në Podujevë u është vazhduar paraburgimi.

Avokati i familjes së viktimës, Tomë Gashi, ka thënë më 22.02.2024 për KALLXO.com se masa e paraburgimit është vazhduar për dy muaj.

18-vjeçari Lulzim Fejzullahu vdiq më 20.01.2024, gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga dy bashkëmoshatarë në Podujevë.

Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e më pas shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, kishte treguar për KALLXO.com se te viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj me mjete të forta (shkop druri).

Për rastin në fjalë Inspektorati Policor i Kosovës tregoi se kanë filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.

Në një video-incizim, që është publikuar në rrjete sociale, është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë e më pas dy personat që ishin në veturë dalin dhe e godasin me mjete të forta.

Për këto pamje të publikuara reagoi edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, i cili ka kërkuar që mediat të largojnë pamjet pasi sipas tyre, të njëjtat nuk janë në interes të publikut dhe në funksion të raportimit etik dhe profesional.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14.01.2024 në Podujevë në 13:00h.

Sipas raportit policor të datës 15.01.2024, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.

Gjashtë ditë më vonë, më 20.01.2024, Lulzim Fejzullahu vdiq në QKUK.