Detajet e Policisë për vrasjen e të riut në Podujevë: Rrahjes brutale i parapriu një mosmarrëveshje 

Rrahjes brutale të Lulzim Fejzullahut, sipas Policisë, dyshohet se i ka paraprirë një mosmarrëveshje, e cila sipas përgjigjes zyrtare të Policisë së Kosovës ka ndodhur në të njëjtën ditë (14 janar), disa minuta më parë në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Podujevë. 

“Policia ka trajtuar dhe po trajton çfarëdo informacioni që mund të ndërlidhet me çfarëdo rrethane që ka mundur t’i paraprij ngjarjes”- thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com. 

Tetë ditë që nga rasti kur një i ri ishte rrahur në mënyrë brutale nga dy persona të dyshuar të mitur, Policia e Kosovës në orët e pasditës ka dhënë disa përgjigje për KALLXO.com në lidhje me disa çështje të cilat janë ngritur si shqetësim në opinion. 

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14 janar 2024 në Podujevë rreth orës 13:00.

Sipas raportit policor të datës 15 janar, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu thuhej se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.

Gjashtë ditë më vonë, më 20 janar 2024, Lulzim Fejzullahu vdiq gjatë kohës sa ishte në trajtim mjekësor intensiv. 

Policia sot në orët e pasditës për KALLXO.com ka dhënë disa informacione plotësuese në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur në rrugën “Drenica” në Podujevë. 

Madje në fillim të informacioneve shihet se vepra penale tashmë është cilësuar si vrasje e rëndë. 

Sipas përgjigjes së Policisë së Kosovës për KALLXO.com thuhet se që nga momenti i marrjes së informacionit për rastin, Policia ka trajtuar me kujdes të veçantë çdo aspekt të ngjarjes dhe ka ndërmarrë me përpikëri të gjitha veprimet e nevojshme  të ekzaminimit ato operative si dhe veprimet hetimore në përputhje me kompetencën si dhe autorizimet e marra nga prokurori i shtetit.

“Në kontekstin e kësaj përgjatë ekzaminimit forenzik, në vendin e ngjarjes policia ka  gjetur dhe sekuestruar një thikë, të cilën e ka administruar në cilësinë e provës materiale”- thuhet në përgjigje deri sa tutje të njëjtit vazhdojnë të tregojnë se gjatë veprimeve operative kanë arritur që të identifikojnë edhe veturën dhe të dyshuarit. 

Vetura ishte sekuestruar në rrugën “Universi” në Podujevë. 

“Përgjatë kontrollit të veturës policia ka gjetur brenda në veturë një mjet të fortë druri që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë”- thuhet në përgjigjen e Policisë. 

Madje Policia thotë se në të njëjtën ditë është bërë edhe identifikimi i të dyshuarve, arrestimi dhe dërgimi i tyre në mbajtje, duke u bazuar në aktvendimin mbi ndalimin i cili është lëshuar nga prokurori i shtetit. 

“Që nga momenti i parë rasti është trajtuar si “Vrasje në tentativë” dhe në vazhdimësi është punuar në mbledhjen e provave, fakteve e dëshmive, përfshirë këtu edhe marrjen e video pamjeve nga kamera të ndryshme, e që do t’i kontribuonin zbardhjes së rastit”- thotë Policia për KALLXO.com. 

Tutje ata tregojnë se pas marrjes së konfirmimit nga ana e klinikës ku po trajtohej viktima se i njëjti ka ndërruar jetë, atëherë me autorizimin e prokurorit të shtetit Policia e ka ricilësuar veprën dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale – vrasja e rëndë.

“Duke respektuar vazhdimin e hetimit por në të njëjtën kohë duke siguruar integritetin e raportimit policor dhe për të shmangur çdo shpërndarje të mëtejme të informacioneve të pasakta ju lutemi që përtej informacioneve të sipër cekura t’i drejtoheni Prokurorisë”- thotë Policia në përgjigjen e saj. 

KALLXO.com mëngjesin e sotëm raportoi se si shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka, tha se viktima nuk kishte pasur asnjë shenjë të therjes me thikë ashtu siç kishte pretenduar raporti policor i datës 15 janar.

Ai tha se viktima kishte shkuar pa ndjenja në QKUK dhe se ka pasur ndërhyrje kirurgjike dhe tutje më pas ka vazhduar me mjekim intensiv. 

Ngjarja e ndodhur në Podujevë mblodhi sot edhe Këshillin e Sigurisë në Bashkësi.

Në të u diskutua vrasja e të riut, Lulzim Fejzullahut, si dhe u dhanë të dhëna në lidhje me të kaluarën e dy të miturve të përfshirë në këtë rast.