Xhaxhai i Lulzim Fejzullahut e autorizon avokatin Tomë Gashi ta përfaqësojë në cilësi të të dëmtuarit

Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se është autorizuar zyrtarisht nga Rrahim Fejzullahu për ta përfaqësuar në cilësinë e të dëmtuarit në rastin e vrasjes së Lulzim Fejzullahut.

Për autorizimin avokati ka njoftuar Prokurorinë e Prishtinës, Gjykatën e Prishtinës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës. Nga këto institucione avokati ka kërkuar ta informojnë dhe t’ia sigurojnë shkresat në çështjen penale ndaj dy të pandehurve.

Rrahim Fejzullahu është xhaxhai i 18-vjeçarit, i cili vdiq në QKUK si pasojë e plagëve të marra nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga dy persona që pretendohet se janë të mitur.

Incidenti ka ndodhur më 14 janar në Podujevë, ndërsa Lulzim Fejzullahu ka vdekur më 20 janar në QKUK.

Rrahim Fejzullahu i kishte kërkuar mbrëmë gjatë emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini avokatit që ta përfaqësonte atë si palë e dëmtuar, ndërsa avokati e kishte pranuar propozimin.

Ndërsa, sot, ky autorizim është bërë zyrtarisht.