Rasti i të riut në Podujevë - Policia tha se pati therje me thikë, Shefi i Intensivës: Pati lëndime nga goditjet por nuk u evidentua therja

Lulzim Fejzullahu, i riu nga Podujeva i cili vdiq më 20 janar, një javë pasi ishte duke u trajtuar në mjekim intesiv në QKUK, nuk kishte shenja të therjes në trupin e tij. 

Kështu të paktën ka konfirmuar shefi i Intensivës për KALLXO.com, Shaqir Uka, i cili tha se është çuditur kur ka parë në media këtë informacion. 

“Unë nuk e di pse dhe qysh ka dalë në media që ky pacient ka qenë i therur, nuk ka pasur. Ky ka ardhur në mjekim intesiv qendror pas një operacioni që është bërë në ditën kur është pranuar në emergjencë për shkak të lëndimeve që ka marrë nga goditje në regjionin e kokës dhe gjakdherdhje që ka pësuar nga goditja në regjionin e trurit”- tha Uka. 

Tutje ai shtoi se diagnozat dhe përshkrimet që janë dhënë pasi është pranuar i riu në QKUK nuk tregojnë se ka pasur ndonjë shenjë të therjes. 

“Na nuk kemi të evidentuar që ky ka pasur therje, të gjitha diagnozat që janë të përshkruara janë plagë që janë shkaktuar dhe shkaktohen nga goditja nuk kemi të evdientuar ndonjë therrje apo plagë që është bërë nga therja. Unë u çudita edhe kur e pashë në media se ky ka plagë të therjes”- shton ai. 

Shefi i Intensivës në QKUK, tregon për KALLXO.com se gjendja e Lulzim Fejzullahut ka qenë e rëndë që nga dita e parë dhe se i njëjti nuk ka arritur as që të flasë. 

“Ka mundësi që është keqkuptu apo përvjedh ndonjë gabim por pacienti te ne ka ardhur nga goditjes që ka pësuar në pjesën e kokës. Pacienti ka ardhur me trurin e vdekur dhe kur ka ardhur në intensivë ata e kanë mbajtur gjallë aparaturat deri në ditën kur ka vdekur”- përfundoi shefi i Intensivës”- tha Uka për KALLXO.com. 

Në anën tjetër, në raportin ditor të Poliçisë së Kovoës të datës 15 janar thuhet se rasti ishte cilësuar si vrasje në tentativë ndërsa për të riun policia ka thënë se ishte therur me thikë. 

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti poliçor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”- thuhet në raportin policor të 15 janarit 2024. 

Lulzim Fejzullahu më 14 janar është dërguar me lëndime të rënda trupore në QKUK. 

Nga një video-incizim që është publikuar në rrjete sociale është parë se i riu fillimisht ishte goditur me veturë nga dy persona të dyshuar e më pas ndaj të njëjtit kishin filluar ta godisnin me mjete të forta. 

Në bazë të raportit të shpejtë të cilin e ka siguruar KALLXO.com, e që është shkruar nga zyrtarët policorë që i janë përgjigjur rastit nuk përmendet fare rrahja e të riut. 

Në raport thuhet se ngjarja ka ndodhur më 14 janar 2024 dhe është raportuar rreth orës 13:5 minuta. 

Koha kur është shkruar raporti në bazë të dokumentit që ka siguruar KALLXO.com thuhet se është 19:55 në mbrëmje. 

Në raport thuhet se njësitë policore dhe emergjenca kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë marrë personin e lënduar dhe është dërguar fillimisht në QKMF në Podujevë e më pas në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm nën përcjelljen e njësive policore. 

Tutje në lidhje me rastin në dokument thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësia e hetimeve dhe forenzika rajonale. 

Në raportin e shpejtë nuk përmendet se si janë identifikuar dy të dyshuarit ndërsa thuhet për të njëjtit se janë intervistuar edhe në praninë e punëtorit të QPS-së e më pas janë dërguar në ndalim për 24 orë.

Gjithashtu në dokument përmendet edhe fakti se është njoftuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda, prokurori/prokurorja kujdestare ka urdhëruar që të iniciohet rasti vrasje në tentativë. 

Tutje pasi janë identifikuar të dyshuarit gjithmonë sipas raportit të policisë, thuhet se është njoftuar prokurori kujdestar për të mitur e që i njëjti ka urdhëruar që të iniciohet vepra penale vrasje e mbetur në tentativë.