Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Prishtinë

LVV: Përparim Rama po sfidon MAPL-në, nuk na u lejua hyrja në ndërmarrjet lokale

Asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet po pretendojnë se përkundër që janë zgjedhur aksionarë nëpër ndërmarrjet komunale, nuk iu është lejuar hyrja në këto institucione dhe se nuk i ka pritur askush nga bordi.

Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të LVV-së ka renditur kronologjikisht ndodhitë në Kuvendin Komunal dhe si erdhi puna që nuk u lejuan brenda objekteve të ndërmarrjeve.

“Më 8 qershor Kuvendi Komunal në një mbledhje të jashtëzakonshme ka shkarkuar aksionarët, më 14 qershor MAPL ka dhënë vlerësim se çdo gjë është në përputhje me normat juridike” – tha Sveçla.

Sipas tij, komuna ka refuzuar t’i bëjë publike këto vendime.

“Komuna ka refuzuar që vendimet e kësaj seancë t’i bëjë publike që të mos bëhen të plotfuqishme. Është krijuar një rast i paprecedentë ku kryetari është përzier në vendimet e kuvendit Komunal’.

Sveçla tha se në seancën e 27 qershorit, vendimet u morën nga partitë në pushtet pasi kryesuesi lëshoi sallën.

“Më 27 qershor, kryesuesi e ka përfunduar seancën, derisa pjesa tjetër kanë marrë disa vendime ku ishte edhe shfuqizimi i vendimeve të 8 qershorit. Më 5 korrik MAPL ka vlerësuar se këto vendime nuk kanë efekt juridik dhe rrjedhimisht në fuqi janë ato të 8 qershorit” – tha ai.

“Më 7 korrik kryetari i ka publiku vendimet e seancës në komunë, më 14 korrik janë bërë të plotfuqishme. Ne kemi dërgu ftesa në ndërmarrje publike për takim me bordet e drejtorëve” – shtoi ai.

Ai tha se në shumë ndërmarrje nuk u është lejuar të futën e në disa nuk i ka pritur askush.

“Më 16 korrik kemi shkuar në disa Ndërmarrje Publike, nuk na është lejuar qasja e në disa nuk na ka prit askush dhe nuk kemi mundur të ushtrojmë kompetencat tona” – tha ai.

Ai shtoi se kryetari Përparim Rama ka sfiduar MAPL duke publikuar vendimet e seancës së 27 qershorit, që janë pa efekt juridik.

“Rama i ka sfidu këto vendime dhe i ka publiku këto vendime, krye në vetë ka publiku vendime pa vlerë juridike”.

Asamblisti Arianit Beqiri tha se komuna ka vënë në lajthitje edhe policinë duke i dërguar nëpër këto ndërmarrje për t’i mos të lënë të hyjnë aksionarët e tyre.

“Nuk jemi leju të futemi brenda për të mbajtur mbledhjen. Bordi flisnin si me qenë zyrë ligjore e komunës në NPB” – tha ai.

Sipas tij, kjo është vepër penale dhe do ankohen edhe në IPK ndaj atyre policëve.

“Për neve kjo që ka ndodh dje është vepër penale dhe do ankohemi edhe në IPK” – tha ai.

Më 8 qershor në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, në Kuvendin Komunal të Prishtinës u shkarkuan anëtarët në komisionet e aksionarëve të dhjetë Ndërmarrje Publike Lokale.

Këta aksionarë ishin nga LDK-ja dhe PDK si dy parti që bashkëqeverisin me kryeqytetin.

Në po atë seancë, me shumicën që pati opozita u arrit të emërohen aksionarë të rinj në ndërmarrjet e komunës.

Derisa, më 27 qershor partitë në pushtet shfuqizuan këto vendime.

Por, ditë më pas Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i shpalli të pavlefshëm dhe pa efekt juridik vendimet e fundit pasi, sipas MAPL, ishin marr pasi Kryesuesi ka mbyllur mbledhjen.

Përparim Rama në një deklarim në Kallxo Përnime është shprehur se seanca është lëshuar nga ana e kryesuesit  dhe nuk është mbyllur.

Ai potencoi se në sallë ka qenë shumica e asamblesë kur janë marr këto vendime.