LVV në Vushtrri nis procedurat për shkarkimin e kryesueses së Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri ka njoftuar se ka nisur procedurat për shkarkimin e kryesueses së Kuvendit Komunal, Melihate Basholli Latifin.

Sipas LVV-së ata deri më tani kanë siguruar nënshkrimet e 1/3 së asamblistëve duke përfshirë edhe bashkëpartiakun e Basholli Latifit, Ilmi Azemi si dhe asamblistë nga LDK.

Sipas njoftimit inicimi për shkarkimin e kryesueses së Kuvendin Komunal vie pasi që ajo nuk ka ndërmarrë asgjë pas dyshimeve se në tetor të vitit të kaluar se në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë u votua në vend të asamblistëve të PDK-së që nuk ishin në sallë.

“Procedura për shkarkim është inicuar pasi që as pas 3 muajsh nga shkelja e ligjit, Statutit të Komunës dhe Rregullorës së Punës së Kuvendit, duke votuar për persona që nuk ishin prezent në seancë, nën ndikimin e kundërligjshëm të nënkryetarit të Komunës, nuk është ndërrmarur as një masë, deklarim apo shkarkim, qoftë nga ana e kryesueses apo kryetarit të komunës”- thuhet në njoftimin e LVV-së.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Melihate Basholli Latifin por e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht për dyshimet se në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të mbajtur më 27 tetor 2022 është votuar në vend të dy asambilstëve të cilët nuk kanë qenë në sallë.

Seanca ishte transmetuar drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Facebook-ut të Komunës së Vushtrrisë, por pastaj një pjesë e seancës nuk është gjetur në të njëjtën faqe.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte udhëzuar Policinë e Kosovës që të grumbullojë informatat pas dyshimeve për votimin në vend të dy asamblistëve të cilët nuk kanë qenë në sallë në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë, pas raportimit të KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje muajin e kaluar nëse kanë intervistruar palët e përfshira apo kanë nisur hetime zyrtare, të njëjtit janë në pritje të gjetjeve nga Policia.

KALLXO.com ka dërguar edhe sot pyetje në lidhje me këtë dhe është në pritje të përgjigjes.

Pas raportimit të KALLXO.com – Policia fillon mbledhjen e informacioneve për votimin në vend të asamblistëve të PDK-së që nuk ishin në sallë