Komuna e Vushtrrisë

Vartësit e kryetarit dhe nënkryetarit të Vushtrrisë punësohen zyrtarë ligjor në këtë Komunë

Komuna e Vushtrrisë ka hapur konkurs për Zyrtar Ligjor në Departamentin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Njoftimi për shpalljen e konkursit ishte bërë nga komuna më 30.11.2023.

Shkëlzen Osmani, asistent i nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Shpëtim Zhegrova, njëherit edhe bartës i listës për asamblist nga radhët e PDK-së ishte zgjedhur fitues i këtij konkursi, si më i poentuari prej kandidatëve të tjerë me gjithsej 85.2 pikë.

Lidhur me këtë, LDK në Vushtrri, kanë kundërshtuar rezultatet e këtij konkursi dhe formën e përzgjedhjes së kandidatit fitues, duke pretenduar se  përzgjedhja e Osmanit si zyrtar ligjor në Komunën e Vushtrrisë ka ardhur për shkak të ndikimeve politike nga PDK në këtë komunë.

“Punësohen vetëm persona të afërt të kryetarit dhe nënkryetarit, konkretisht asistenti i nënkryetarit në këtë konkurs, ish-kandidati për asamble nga radhët e PDK-së”- ka thënë Shkëlzen Xhaferi, nënkryetar i LDK-së në Vushtrri.

Reagime të ngjashme pati edhe nga partia tjetër opozitare në Vushtrri – LVV, nga ta u kërkua edhe hetim nga organet kompetente.

“Ftojmë organet kompetente që të hetojnë një mal të tërë të punësimeve klienteliste e familjare, po ashtu inkurajojmë qytetarët që të reagojnë dhe t’i ndjekin procedurat e ankimimit sa herë që të përballen me padrejtësi në këto konkurse”- thuhet në reagimin e LVV-së në Vushtrri.

Këto pretendime i ka hedhur poshtë fituesi i konkursit Shkëlzen Osmani, i cili ende mbanë pozitën e asistentit të nënkryetarit të Komunës së Vushtrrisë.

“Ka pasë edhe kandidatë të tjerë që kanë qenë të PDK-së brenda atij konkursi, por vetëm unë jam pranu si më i miri”- është shprehur ai.

I pyetur nëse përzgjedhja e asistentit të tij për zyrtar ligjor ka qenë politike, nënkryetari i Komunës Vushtrrisë Shpëtim Zhegrova, thotë se nuk ka qenë fare në dijeni as për aplikimin e asistentit të tij për këtë pozitë.

“Prej jush po e dëgjoj që është punësu Shkëlzeni, ende në zyre tek unë është si asistent”- ka thënë Zhegrova për KALLXO.com

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj prej kur ka dalur fitues nga ky konkurs edhe Osmani ka pranuar se ende nuk ka njoftuar Zhegrovën për konkursin dhe nuk ka dhënë ende dorëheqje.

“Kam konkuru si gjithë të tjerët, konkursi ka qenë i hapur edhe nënkryetari nuk ka qenë i informuar fare kur unë kam konkuru, sepse nuk ka qenë këtu ka qenë jashtë vendit… nuk kam dhënë dorëheqje endej prej kësaj pozite dhe nuk e kam njoftuar ende për këtë arsye”.

Reagime e kundërshtime të njëjta nga opozita ka pasur edhe për konkursin tjetër të shpallur nga Komuna e Vushtrrisë për pozitën Zyrtarë i Lartë Ligjor në kuadër të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.

Konkursi për Zyrtarë të Lartë Ligjor ishte shpallur më 10.01.2024.

Ndërkaq në rezultat e shpallura më 16.02.2024 fitues të këtij konkursi kishin dalur tre kandidatë, Bujar Shatrolli, Valbone Mehana- Zenuni dhe Xhemajl Jashari.

Më i suksesshmi i këtij konkursi, Bujar Shatrolli aktualisht mbanë pozitën e Shefit të Kabinetit të Kryetarit të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Shkëlzen Xhaferi nga LDK në Vushtrri thotë se afërsia e kryetarit të komunës me Shefin e kabinetit të tij, ka mundësuar “rehatimin” e tij në këtë pozitë.

“Është tërësisht e papranueshme që brenda disa muajve pranohen asistent i nënkryetarit dhe përgatitet terreni për shefin e kabinetit të kryetarit”.

“Qytetarët po i shohin e ndjenjë çdo ditë mashtrimet kryetarit Idrizi, ai duhet të ndalë punësimet e kabinetit të tij, pazaret politike dhe t’i kthehet punës për këtë pak kohë që i ka mbetur”- ka thënë Xhaferi.

Pretendime të njëjta kanë dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri më 04.03.2024 përmes një reagimi publik.

“Avazit të punësimeve familjare e partiake nuk po i vije fundi, tani këtij karvani iu bashkangjit edhe Shefi i Kabinetit të Kryetarit, Bujar Shatrolli, i cili është punësuar në pozitën Zyrtar i Lartë Ligjor. Shatrollit siç duket i ka ndihmuar afërsia e miqësia me kryetarin Idrizi, që të “rehatohet” me kontratë afatgjate pranë mikut të tij, i cili vetë nuk e ka edhe gjatë kontratën me qytetarët”- thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Shatrollit, i gjithë procesi i rekrutimit të kandidatëve ka shkuar vetëm përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe që i njëjti nuk ka pasur ndikime politike.

“Rekrutimi ndodhë nga Departamenti për Zyrtarë Publik që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme që do të thotë se i tërë procesi i rekrutimit bëhet në mënyrë elektronike”- ka deklaruar Shatrolli.

Edhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një bisedë për KALLXO.com ka theksuar po ashtu se zgjedhja e Shatrollit për zyrtarë të lartë ligjor në këtë komunë, është bërë drejtpërsëdrejti dhe në formë elektronike.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike i qet pyetjet drejtpërdrejtë në formë elektronike edhe rekrutimi nuk bëhet në Vushtrri, por bëhet në Prishtinë, po ju siguroj që kurrfarë ndikimi nuk ka pasë, është e drejtë e tij”.

“Ana juridike është e pastër, të drejtë ligjore ka, kurrfarë pengesa nuk ka, shkathtësitë i ka treguar shumë të mira atë ditë”- ka thënë Idrizi  për KALLXO.com.