Dyshimet se në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë u votua në vend të asamblistëve të PDK-së  që nuk ishin në sallë

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të mbajtur dje, më 27 tetor 2022 dyshohet se në pikën e rendit të ditës për ndërtimin e lapidarit në fshatin Pasomë është votuar në vend të dy asambilstëve të cilët nuk kanë qenë në sallë.

Seanca është transmetuar drejtpërdrejt në faqen zyrtare të Facebook-ut të Komunës së Vushtrrisë, por pastaj një pjesë e seancës nuk është gjetur në të njëjtën faqe. 

KALLXO.com ka arritur të siguroj një pjesë të videos nga kjo pikë. 

Në video shihet nënkryetari i Komunës, Shpëtim Zhegrova nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), i cili i thotë Nurije Halilit, asambliste që të votoj në emër të Arlind Gogollit, asamblist nga PDK po ashtu.

“Voto të Arlindit. Voto, veç voto të Arlindit. Bonja plus. Voto, voto bre. Voto për. Bonja plus”- thotë Zhegrova.

Votimi për ndërtimin e lapidarit në fshatin Pasomë të Vushtrrisë ka qenë i fshehur.

Fillimisht disa asamblistë gjatë votimit nënshkruhen në një listë, ndërsa më pas nënkryetari Zhegrova thotë se nuk ka nevojë të nënshkruhen dhe kjo ‘aprovohet’ verbalisht nga kryesuesja e Kuvendit, Melihate Basholli.

“Nuk ka nevojë me u nëshkru veç bonja tik”- thotë Zhegrova.

Pas kësaj, Zhegrova insiston që të votohet edhe për asamblistin tjetër, Lorik Maxhuni.

“Edhe Lorikut shkruja. O veç le qaty, le qaty o shpirt”- thotë Zhegrova.

KALLXO.com ka kontaktuar me nënkryetarin Zhegrova për të marrë një qëndrim rreth kësaj situate.

“Kanë qenë 27 vota, apo kupton 27 fletvotime janë në kutinë e votimit. Tetë asamblistë kanë mungu. Do të thotë janë emrat e asamblistëve që kanë mungu në mesin e tyne është edhe Loriku edhe Arlindi që e kanë lëshu seancën paraprakisht dmth pas pauzës. Nuk është e vërtëtë që kanë marrë pjesë në votim. Tjetër është që ka qenë interes i përgjithshëm, nuk është interes i kërkujt, është puna për një lapidar për një dëshmor”- ka thënë ai.

Ndërsa, sipas tij arsyeja e “lobimit” për votim ka qenë për shkak se në rend të ditës është votuar për një lapidar.

“Atë e kam thënë edhe publikisht pse ka qenë migrofoni dhezë unë e kam thënë edhe publikisht. Aty shihet qartë se qartë presioni i anëtarëve të Kuvendit për me përfundu senaca ma shpejt për shkak të një varrimi. Nuk ka pas kurgjo tjetër… një pjesë e Vetëvendosjes e ka lëshu seancën me qëllim që me bojkotu. Prej 27 fletvotimeve, 24 ka qenë pro, 3 kundër”- tha ai për KALLXO.com.

Ndërsa, për Melihate Bashollin, kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë më e rëndësishme është se si KALLXO.com i ka gjetur numrin e telefonit, për ta kontaktuar rreth ngjarjes se sa vetë ngjarja e cila ndodhi në seancën të cilën e udhëhoqi ajo.

“Kush ju dha juve numrin tem, të lutem? Për ty është e madhe qajo për mua është e madhe kush ta ka dhanë numrin përshembull”- tha ajo.

Ndërsa sa i përket rastit të votimit për asamblistët që nuk kanë qenë në sallë, ajo tha se nuk i ka dëgju.

Në videon e siguruar nga KALLXO.com, Basholli shihet shumë pranë nënkryetarit, Shëptim Zhegrova i cili kërkon të votohet në vend të asamblistëve që nuk janë në seancë.

“Unë kam pas punën time edhe aty ka qenë komisioni që e kena zgjedh i cili është kujdes për mbarvajtjen e procesit e votimit, kështu që për këtë çështje është më mirë ata me i kontaktu po unë po të tregoj anën time. Nëse ju e keni në video, unë i kam thirr emrat e anëtarëve të Kuvendit në bazë të listës qysh i kemi edhe me të thënë të drejtën kurgjo nuk kam dëgju në këtë aspekt që ti po flet”- tha ajo për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Arlind Gogollin, Lorik Maxhuni, Nurije Halilin, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur telefonatave apo mesazheve.

Ndërsa KALLXO.com ka dërguar edhe një kërkesë në Komunën e Vushtrrisë duke kërkuar procesverbalin e mbledhjes për këtë pikë.

Bujar Shatrolli pjesë e stafit të kryetarit, Ferit Idrizi në lidhje me publikimin jo të plotë të seancës së Kuvendit Komunal tha se nuk është fshirë me qëllim, por që për shkak të problemeve me rrjet ka mundur të mos publikohet e tëra.