Ilustrim

Kërkohet paraburgim për pronarin e shtëpisë ku u gjet laboratori i drogës në Leposaviq

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar paraburgim për R.V., i dyshuar për veprat penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” dhe “kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit “.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se më 24.02.2024 ka zbuluar një laborator të kanabisit në fshatin Granican të Leposaviqit, duke vënë në pranga një person – pronarin e shtëpisë ku është gjetur laboratori.

“I pandehuri, prej datës së pacaktuar e deri me datë 24 shkurt 2024, në shtëpinë e tij në fshatin Graniqane të Leposaviqit, pa autorizim ka prodhuar, kultivuar përpunuar dhe nxjerrë ose përgatitur substanca preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që i pandehuri në shtëpinë e tij i ka përshtatur dy dhoma në laborator duke shfrytëzuar aparatura të llojeve të ndryshme  ku ka arritur që të kultivojë dhe prodhojë bimë të ndryshme narkotike”- ka dhënë detaje Prokuroria në Mitrovicë.

Sipas njoftimit “në shtëpinë e të pandehurit janë gjetur 23 saksi të mbjella me bimë të dyshuara të kanabisit me gjatësi 80.185 centimetra, llamba elektrike me nxehje elektrike, nxehëse që mban temperaturë konstante, foli alumini me të cilin ishte mbuluar dhoma dhe preparate për kultivimin e bimëve narkotike”.

Ndërsa në njërën nga dhomat janë vërejtur pajisjet e djegura që janë shfrytëzuar për kultivimin e bimëve narkotike.

I pandehuri me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në ndalim nga data 24 janar 2024.

Seanca dëgjimore për  caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet më 26.02.2024, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Mitrovicë.