Lëndimi i 12 minatorëve në "Trepçë", prokuroria nis hetimet

12 punëtorë mbetën të lënduar pasditen e 17 janarit në një incident me acid në minierën e Trepçës në Stan Tërg. Dy nga të lënduarit po trajtohen ende në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.

Menjëherë pas aksidentit, menaxhmenti tregoi se ka njoftuar organet e hetuesisë për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Themelore në Mitrovicë tha se rasti po hetohet në bashkëpunim me forcat e rendit.

“Është njoftuar prokurori kujdestar, dhe rasti është duke u hetuar në bashkëpunim me policinë. Lidhur me rastin, Inspektorati i Punës do të jap raport lidhur me rrethanat e këtij rasti, dhe varësisht nga gjetjet do të vendoset” – thuhet në njoftim.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh dha detaje mbi aksidentin.

“Raportohet se në rrethana të panjohura në minierën e Trepçës ka shpërthyer një cisternë me acid ku lëndime trupore kanë pësuar 12 persona. Të lënduarit janë dërguar në tretman mjekësor në spitalin e Mitrovicës, ku pas tretmanit dy janë ndaluar në trajtim të mëtutjeshëm ndërsa 10 janë liruar në shtëpi. Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse. Rasti është duke u hetuar” – thuhet në njoftim.

Bordi i përkohshëm mbikëqyrës i Ndërmarrjes Publike “Trepça” sot gjatë ditës mori vendim për shkarkimin e drejtorit të minierës në Stan Tërg. Në vend të Bahri Karaçës, bordi emëroi Shyqeri Sadikun.

Lëndimet e minatorëve nga acidi në ‘Trepçë’, shkarkohet drejtori i minierës