Stacioni policor në Vushtrri, Foto: KALLXO.com

Detaje nga vrasja në Vushtrri, prokurorja vazhdon të intervistojë persona për ngjarjen

Një person mbeti i vrarë e dy të tjerë u plagosën sot në Vushtrri, përderisa Policia e Kosovës ka njoftuar se për ngjarjen në pranga të zyrtarëve policor ranë dy të dyshuar. 

Aktualisht prokurorja e rastit, Fetije Bajrami është duke intervistuar palë lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në afërsi të tregut në Vushtrri. 

“Ende jemi duke i marr deklratata, atë kryesorin e kemi ndalë njëherë” – ka thënë ajo. 

E pyetur nëse dihen ose jo motivet e kësaj ngjarje, Bajrami tha se aktualisht nuk mund të ndajë informata të tilla. 

Ndërsa, Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës ka thënë se  deri më tani kanë konfiskuar një armë si provë materiale. 

Sipas tij, arma në fjalë është armë e gjatë ndërsa hetuesit janë duke punuar më tutje për të zbardhur rrethanat e vrasjes së sotme.

“I kemi dy persona të arrestuar për të tjerët nuk mundem me të thanë kurrgjë, disa janë shoqëruar për intervistim në polici, nuk e di statusin e tyre aktualisht a janë dëshmitarë apo të dyshimtë apo edhe viktima sepse janë në stacion ende” – tha Zahiti.

Në anën tjetër, Drejtori i Emergjencës në Prishtinë – ku janë duke u trajtuar dy të plasosurit – Naser Syla ka thënë se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. 

Policia sekuestroi një armë të gjatë pas vrasjes në Vushtrri