Lumir Abdixhiku në Suharekë, 31.01.2025, Foto: Lumir Abdixhiku/Facebook
Lumir Abdixhiku komenton votat e diasporës, votuesve të LDK-së u premton një turne falënderimi
Kryetari dhe kandidati i LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku ka falënderuar mërgatën për votat që i kanë dhënë për partinë e tij.
Abdixhiku thotë se tani është e qartë ‘fotografia finale’ e Zgjedhjeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar. Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë! Por, po, jemi rritur!” – shkruan Abdixhiku.
Tutje, ai shton se LDK u rrit për 70 mijë vota apo 7 deputetë, për këtë ai thotë ‘kokën lartë’.
LDK-ja sipas tij po bëhet sërish adresë e qytetarëve.
“Rënia, ajo katastrofalja, është e shpejtë! Shpeshherë dhe fatale. Ringritja, ajo e vështira, është e ngadaltë. Kërkon punë dhe punë shumë!” – thotë mes të tjerash Abdixhiku.
I pari i LDK-së thotë tutje se kjo parti ka rritjen më të madhe në Zgjedhje dhe se ka kthyer votuesin e vet, teksa thotë se tani duhet të shkohet përtej saj.
Turne të falënderimit ka paralajmëruar Abidixhiku pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve.
Nga votat e diasporës përmes postës, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka grumbulluar 52.72% të tyre, apo 21,234 vota.
Ndryshe prej votave nga vendvotimet në Kosovë ku si subjekt i dytë renditet PDK-ja, në vendin e dytë në diasporë aktualisht është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 29.80%, apo me 12,003 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 3,213 vota, apo 7.98%.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët dhe Lista Ideal ka fituar 3.32%, apo 1,338 vota.
Hera e fundit kur janë përditësuar të dhënat ka qenë në orën 00:54 të mesnatës së 3 shkurtit 2025 – sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Deri më tani janë numëruar 66.31% e votave, apo 124 prej 187 gjithsej.
Në përfaqësi diplomatike, LVV-ja ka 80.71 % të votave, apo 12,261 vota.
Ndryshe prej votave me postë, PDK-ja është renditur e dyta me 7.73 %, apo 1,175 vota. LDK-ja ka mbledhur 7.30%, apo 1,109 vota.
Sipas rezultateve nga Qendrat e Votimit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës – 25, Lidhja Demokratike e Kosovës – 20, koalicioni AAK-NISMA – 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.