
Numrimi i votave - Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
LVV-ja mbi 21 mijë vota me postë, LDK-ja e kalon PDK-në
Nga votat e diasporës përmes postës deri më tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka grumbulluar 52.72% të tyre, apo 21,234 vota.
Ndryshe prej votave nga vendvotimet në Kosovë ku si subjekt i dytë renditet PDK-ja, në diasporë në vendin e dytë aktualisht është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 29.80%, apo me 12,003 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 3,213 vota, apo 7.98%.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Socialdemokrate, Konservatorët, Intelektualët dhe Lista Ideal ka fituar 3.32%, apo 1,338 vota.
Hera e fundit e numërimit të votave me postë ka qenë në orën 00:54 të mesnatës të 3 marsit 2025 – sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Deri më tani janë numëruar 66.31% e votave, apo 124 prej 187 gjithsej.
Në përfaqësi diplomatike, LVV-ja ka 80.71 % të votave, apo 12,261 vota.
Ndryshe prej votave me postë, PDK-ja është renditur e dyta me 7.73 %, apo 1,175 vota.
LDK-ja ka mbledhur 7.30%, apo 1,109 vota.
Kurse, Koalicioni AAK-NISMA ka 1.97%, apo 299 vota.
Votimi nga mërgimtarët u realizua në dy forma: përmes postës dhe votimit fizik nëpër Ambasada dhe Konsullata.
Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës 84,600 ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20,324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Sipas rezultateve nga Qendrat e Votimit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës – 25, Lidhja Demokratike e Kosovës – 20, koalicioni AAK-NISMA – 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.