Lladrovci: Mungesa e Thaçit dhe Veselit e bëri të rëndë vitin 2021 për institucionet e Kosovës

Ramiz Lladrovci bashkë me Azem Sylën dhe Adem Grabovcin sot kanë vizituar familjet e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit.

Lladrovci, përmes një publikimi në Facebook, është shprehur se mungesa e Thaçit dhe Veselit ka bërë që ky vit të jetë i rëndë për institucionet e Kosovës.

Lladrovci ka thënë se si çdo sfidë tjetër, edhe kjo do të kalohet.

Publikimi i plotë i Lladrovcit:

Së bashku, me miqtë e mi, Azem Sylën dhe Adem Grabovcin, kemi shkuar në Burojë dhe në Mitrovicë, te familja e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, për të theksuar se mungesa e liderëve tanë, bëri që viti 2021 të ishte vit i rëndë për familjet e tyre, për institucionet e vendit dhe të gjithë neve.

Vendi ynë, atdhetarët dhe qytetarët, në rrugën e drejtë të çlirimit dhe lirisë, patën shumë vështirësi. Vendimi i Gjyqit të Hagës që po mban padrejtësisht larg nesh prijësit tanë, solli sfidën e re, të cilën besojmë fort se do ta kalojnë faqebardhë.

Përgjithmonë mirënjohës ndaj familjeve Thaçi, Veseli dhe të gjithë atyre që me kontribut i dolën në mbrojtje atdheut, shtetformimit e shtetndërtimit. Drejtësia vonon por fiton!

Gjatë këtij viti në Hagë kanë filluar procese gjyqësore ndaj ish krerëve politikë në Kosovë që gjatë kohës së luftës kishin pozita udhëheqëse në luftën për çlirimin e vendit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Salih Mustafa, Pjetër Shala, po përballen në Hagë me akuza për krime lufte, vrasje, privim të kundërligjshëm lire, torturë e trajtim çnjerëzor të personave të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me okupatorin serb gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërsa Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për pengim të procedurës penale para Gjykatës së Hagës.

Gjykata e Hagës është institucion i Kosovës i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për gjykimin e krimeve të cilat pretendohet se kanë ndodhur gjatë vitit 1998 -1999 në Kosovë.

Kjo gjykatë përbëhet nga gjykatës ndërkombëtarë të specializuar për gjykimet lidhur me krimet e luftës.

Po ashtu edhe të akuzuarit në këtë gjykatë mbrohen nga avokatë të specializuar, shpenzimet e të cilëve i mbulon Republika e Kosovës, saktësisht Ministria e Drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë Kosovës, mbrojtja e të pandehurve para Gjykatës së Hagës i ka kushtuar buxhetit të Republikës së Kosovës 6 milionë e 879 mijë e 512 euro e 1 cent për vitin 2021.

Mbrojtja e të akuzuarve nga Specialja, rreth 7 milionë euro u paguan nga buxheti i shtetit deri më tani