Automjeti i konfiskuar nga Policia e Kosovës, më 05.04.2024, Foto: Policia e Kosovës/Facebook

Ligji i ri për rregullat në trafikun rrugor - automjeti i paregjistruar, Policia gjobit me 500 euro shoferin

Policia e Kosovës ka gjobitur me 500 euro shoferin e një automjeti që transporton mallra, pasi automjeti që ka vozitur ka qenë i pa regjistruar për më tepër se 30 ditë.

Sipas njoftimit të Policisë, automjeti është sekuestruar përkohësisht.

Ndërsa, në vendimin për kundërvajtje të shqiptuar ndaj shoferit, shihet se Policia e ka regjistruar kundërvajtjen më 05.04.2024 dhe se ka ndodhur në ose afër autostradës Veternik – Bresje.

Në arsyetimin e Policisë të vendimit për kundërvajtje thuhet se “Kompania lejon të dalë në rrugë me regjistrim të skaduar nga data 13.02.2024”.

Këtë kundërvajtje Policia ka njoftuar se e ka shqiptuar bazuar në Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Njësia për Kontroll të Autostradave ka identifikuar shoferin duke drejtuar mjetin e transportit të mallrave të pa regjistruar më tepër se 30 ditë, i njëjti sipas ligjit të ri për rregullat e trafikut është gjobitur me 500 € si dhe mjeti është konfiskuar përkohësisht” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 05.04.2024.

Nga 3 prilli 2024 ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me anë të të cilit janë ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22.02.2024 dhe është dekretuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 11.03.2024, duke e shfuqizuar Ligjin e vjetër për rregullat e trafikut rrugor, i cili ka qenë në zbatim që nga gushti i vitit 2016.

Sipas Ligjit të ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, në nenin 247 ku është folur për ‘Largimin e mjetit të paregjistruar nga trafiku’, është specifikuar se sa gjobitet shoferi në rast se mjeti i tij nuk është i regjistuar jo më gjatë se 30 ditë.

“Shoferi i mjetit, i cili haset në trafik me mjetin e pa regjistruar, regjistrimi i të cilit ka skaduar për jo më gjatë se 30 ditë, dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej dyqind (200) eurosh, mjetit do t’i konfiskohen targat e regjistrimit deri në regjistrimin apo çlajmërimin e tij” – thuhet në paragrafin 2, të nenit 247 në Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor.