Lëvizja Feministe Studentore: Nuk do të tërhiqemi deri në përjashtimin e Xhevat Krasniqit

Lëvizja Feministe Studentore (LFS) ka mbajtur konferencë për media duke shprehur pakënaqësinë në lidhje me trajtimin e rastit të profesorit Xhevat Krasniqi nga ana e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës.

Blenda Asllani, aktiviste e LFS-së pati kritika të ashpra ndaj Këshillit të Etikës, institucion ky i cili ende nuk ka marrë vendim ndaj profesorit Krasniqi.

“Këshillit, i cili ka histori për neglizhim, trajtim joserioz të rasteve e dënime skandaloze për shkeljet që i konstaton, nuk i mjaftuan as një muaj e gjysmë, as dëshmitë e palëve e as 3 seanca që shqyrtuan rastin, për ta përjashtuar 27 herë të denoncuarin për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi, duke e lënë kështu lirshëm të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit ku shumica e studenteve janë vajza” – tha ajo.

Asllani bëri me dije se nuk do të tërhiqen deri në përjashtimin e Krasniqit nga Fakulteti i Edukimit.

“Kërkesat tona janë të qarta dhe në asnjë formë nuk do të tërhiqemi nga ato edhe nëse kjo nënkupton ndërrim të formës dhe mjeteve të protestës. Xhevat Krasniqi për të cilin tashmë Policia e Kosovës ka nisur hetimet, ka me u përjashtu prej UP-së, zgjidhje tjetër nuk ka”- theksoi ajo.

Teuta, Shpresa dhe Era (emra fiktivë) janë tri vajza që në kushte anonimiteti rrëfyen në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, për ngacmimet seksuale që Xhevat Krasniqi, profesor i matematikës, pretendohet se iu kishte bërë atyre derisa studionin në degën e Farmacisë në UP.

Përveç këtyre trijave në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që ju kishin bërë vajzave nga viti 2022. Kjo është hera e parë që djemtë në Kosovë dolën publikisht të flasin për ngacmimet që u janë shkaktuar kolegeve të tyre.

‘Teuta’ që pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mbodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.Në këtë mbledhje u paraqit edhe vetë Krasniqi, ani pse me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar më 09.04.2024, duke thënë se rastet e pretenduara paraqesin shqetësim po aq sa edhe sipas saj janë dëshmi se në UP janë krijuar kushtet e domosdoshme për raportim dhe që secili pjesëtar i stafit akademik “të udhëhiqen nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës”.

Aktivistët nga data 03.04.2024 kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi, të cilin e kanë denoncuar 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Krasniqi vazhdon të figurojë si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit e në anën tjetër denoncimi për ngacmim seksual po trajtohet nga Këshilli i Etikës të UP.

Policia e Kosovës shpërndanë me forcë aktivistët që bllokuan hyrjen e Rektoratit të UP-së