Kandidati i LDK-së për deputet, Xhafer Tahiri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

LDK zotohet për heqjen e akcizës së naftës për bujqit dhe për zgjerim të sistemit të ujitjes në Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në programin e saj zgjedhor për sektorin e bujqësisë ka paraparë sigurime bujqësore, heqjen e akcizës së naftës për bujqit, heqjen e normës së interesit të kredive për bujqit dhe zgjerimin e sistemit të ujitjes në Kosovë.

Kandidati për deputet nga kjo parti, Alban Zogaj, mungesën e sigurimeve bujqësore e sheh si një nga problemet më të mëdha që po ndikon në zhvillimin e bujqësisë në vend.

Në “Debat Përnime” më 31.01.2025, ai tha se përmes një komunikimi serioz me kompanitë e sigurimeve dhe Bankën Qendrore të Kosovës, do të mundësohet që të ofrohet sigurimi bujqësor, mirëpo garantues i këtyre sigurimeve, sipas tij, do të jetë vetë Qeveria.

“Duhet një komunikim dhe një qasje serioze me kompanitë e sigurimit edhe Bankën Qendrore të Kosovës. Ne duhet me kërku prej kompanive të sigurimit që produktet bujqësore me i fut në gamën e tyre të shërbimeve dhe në qoftë se ka problem, ne si Qeveri me i garantu këto sigurime”- tha ai.

Ndërsa, kandidati Xhafer Tahiri për jetësimin e sigurimeve bujqësore tha se duhen edhe reforma në kuadrin ligjor.

“Fillimisht për këtë çështje duhet të bëhen reforma ligjore, duhet të ndryshohet korniza aktuale ligjore”- tha ai.

Në planet e LDK-së është edhe heqja e akcizës së naftës për bujqit.

“Kemi propozuar edhe heqjen e akcizës për naftën e krejt firmave bujqësore. Pra, nafta që shkon në drejtim të bujqësisë- akciza do të jetë e hequr. Kjo e bënë lëndën e parë për bujqësinë të jetë më e lirë dhe kështu i jep mundësi bujqësisë më u zhvillu edhe me pasë produktivitet dhe profit më të lartë”- tha Alban Zogaj.

LDK planifikon gjithashtu të subvencionoj edhe normën e interesit për kredit që i marrin bujqit.

Për këtë, kandidati Xhafer Tahiri tha se “do të krijohet një fond i veçantë nga Qeveria e Kosovës që garanton normën e interesit”.

“Bujqit do të kthejnë vetëm atë që e kanë marrë, [ndërsa] normën e interesit do ta mbuloj Qeveria përmes këtij fondi”- tha ai.

Në vazhdën e këtyre planeve dhe projekteve pritet të punohet edhe në aspektin e formalizmit të bujqve, e për një gjë të tillë, LDK parasheh që bujqit të stimulohen edhe përmes subvencioneve.

“Me të vërtetë në duhet të punojmë më bujqit në disa drejtime që ata më u formalizu në tërësi. Firmat e mëdha bujqësore veçse janë krejtësisht të formalizuara, por ne duhet të punojmë edhe më bujqit e vegjël. Pra me i stimulu përmes subvencioneve. Me ju ofru subvencione atyre që formalizohen dhe që e rrisin qarkullimin edhe bëhen të aftë me pasë qasje në kredi”- tha Zogaj.

Ndërsa, kandidati Xhafer Tahiri tha se formalizimet nuk do të behën si ato që janë bërë në Qeverinë aktuale, por përmes një sistemi të rregulluar.

Për zhvillimin e bujqësisë, LDK parasheh investime edhe në zgjerimin e sistemit të ujitjes.

“Aktualisht në Kosovës kemi vetëm rreth 20 mijë hektarë nën sistemin e ujitjes, apo vetëm 4.8% e tokës bujqësore. Programi ynë parasheh investime të menjëhershme në rehabilitim, fillimisht në sistemin aktual të ujitjes së tokave bujqësore dhe pastaj në ndërtimin e kapaciteteve të reja”- tha Xhaferi.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:

Planet e LDK-së për bujqësinë, infrastrukturën dhe ambientin: Aviokompani, central me gaz dhe mbështetje për bujqit