
Kandidatët e LDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Planet e LDK-së për bujqësinë, infrastrukturën dhe ambientin: Aviokompani, central me gaz dhe mbështetje për bujqit
Themelimi e një aviokompanie, ndërtimi i një centrali me gaz, përfundimi i projekteve rrugore dhe heqja e akcizës së naftës dhe e normës së interesit të kredive për bujqit, janë disa nga zotimet e LDK-së në bujqësi, infrastrukturë dhe ambient.
Kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) premtojnë se do të përfundojnë rrugët që janë nisur, do të heqin akcizën dhe normën e interesit për bujqit, do të themelojnë një aviokompani e një central me gaz, dhe përgjithësisht do të investojnë 5 miliardë euro për 120 projekte kapitale, në rast se e marrin drejtimin e Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Me programin “Rruga e Re”, të gjitha këto projekte parashihen të realizohen brenda mandatit katërvjeçar,
Alban Zogaj, Krenar Xhaferi dhe Xhafer Tahiri, në emër të LDK-së u zotuan në “Debat Përnime” më 31.01.2025, se do të investojnë në sektorin e bujqësisë, energjisë dhe infrastrukturës, duke nisur nga përfundimi i punëve të nisura e deri te realizimi i projekteve të reja.
Përveç investimeve në asfalt, këta kandidatë premtuan se do të ndërtojnë një central me gaz, një Qendër të re Spitalore, do të bëjnë sigurime bujqësore për fermerët dhe do të ulin çmimet e biletave nga Aeroporti i Prishtinës përmes shtimit të kapaciteteve të këtij aeroporti dhe aviokompanisë të cilën e kanë në plan që ta themelojnë.
Kandidat i LDK-së për kryeministër është Lumir Abdixhiku, ndërsa kundërshtarë në garën e 9 shkurtit e ka kandidatin e Vetëvendosjes, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti; Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Gjithsej 2 milionë e 75 mijë e 868 votues do të kenë të drejtë vote këto Zgjedhje – sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime vetëm në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.
Në zgjedhjet parlamentare do të garojnë 27 subjekte politike. Prej tyre 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ky është procesi i parë i rregullt zgjedhor në Kosovë, që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.
5 miliardë- 120 projekte
Në programin “Rruga e Re”, LDK ka planifikuar 120 projekte kapitale me vlerë 5 miliardë euro.
Kandidati për deputet, Alban Zogaj, thotë se e kanë në plan që çdo vit të investojnë mbi 1 miliardë euro në investime kapitale të cilat kryesisht janë infrastrukturore.
“Këtu e kam fjalën për projekte të mëdha dhe përfundimin e të gjitha rrugëve që e lidhin kryeqytetin me qytete të mëdha të Kosovës”- tha ai.
Zogaj u zotua se do ta ndërtojnë me urgjencë autostradën e Gjilanit, magjistralen Prishtinë- Pejë, Unazën e Jashtme në Prishtinë me vlerë 350 milionë euro, do ta përfundojnë magjistralen Prishtinë- Mitrovicë, magjistralen Prishtinë- Podujevë dhe pjesën e projektit Gjakovë-Klinë. Gjithashtu, ai tha se planifikojnë që të ndërtojnë 200 stacione të autobusëve në të gjithë Kosovën.
“Pritore moderne ku [qytetarët] kanë mundësinë me pas edhe ndriçimin, shitjen e pijeve dhe ushqimit- si në krejt Europën”- tha Zogaj.
I pyetur nga Visar Prebreza nga “Krypometri”, se pse 930 milionë euro të parapara me programin e LDK-së, janë për projekte për asfalt, përfshirë edhe ato për shpronësimet për Unazën e Prishtinës, përderisa shumica e investimeve që nga shpallja e Pavarësisë kanë qenë pikërisht në asalft, Zogaj vlerësoi se afër një 1 miliard euro nuk janë shumë për shkak se “projekti i madh i asfaltimit duhet të ndodhë njëherë e mirë”.
“Nuk janë shumë për shkak se ne konsiderojmë që rruga është qasje në treg, në spital, në universitet e kryeqytet. Ky vend duhet me përfundu projektin e madh të rrugëve dhe pastaj dalim në pjesët tjera të ekonomisë”- tha ai.
Zogaj, me profesion ekonomist tha se ende nuk kanë një vendim të prerë nëse do të shtohet tarifa për rrugët, megjithatë tha se meqë rrugët janë ndërtuar prej buxhetit të Kosovës, “ideja deri vonë ka qenë mos me e ngarku qytetarin edhe me një pagesë shtesë”.
Plani i LDK-së parasheh përfundimin e shpejtë të të gjitha magjistraleve aktuale, me theks të veçantë të magjistrales Prishtinë – Podujevë (50 milionë euro); si dhe magjistrales Prishtinë-Mitrovicë (30 milionë euro).
Sipas plan-programit, rruga tashmë e nisur Gjakovë-Klinë, sikurse kyçja e Komunës së Vitisë në Gërlicë, do të kenë kosto shtesë rreth 40 milionë euro; përderisa dy rrugët tjera të rëndësisë së veçantë, ajo Pejë-Kullë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë do të kushtojnë 30 milionë euro, respektivisht 10 milionë euro për të përfunduar të dyja brenda katër viteve.
Megjithatë, ai tha se duhet të merret vendimi për tarifë në mënyrë që të mirëmbahen rrugët e mëdha nacionale, sidomos autostradat.
“Nuk kemi vendim të prerë për këtë punë. Do ta analizojmë mirë se a është koha e përshtatshme për ta vendosur tarifën, por mirëmbajtja e këtyre rrugëve të mëdha duhet të bëhet medoemos me pagesë”- tha ai, duke e vlerësuar se një vendim i tillë nuk është popullor.
Ai tha se do ta instalojnë modelin e kredive afatgjata për ndërtimin e projekteve të mëdha.
“Sepse këto projekte do ta kenë jetëgjatësinë me vite të tëra, 30 a 50 vite. Kjo nënkupton që kanë me u shfrytëzu prej gjeneratave të ardhshme. [Andaj] edhe gjeneratat e ardhshme duhet me kontribu në pagesën e këtyre projekteve”- tha ai.
Zogaj shtoi se ⅕ e buxhetit të planifikuar janë projekte të rrugëve, ndërsa 80 për qind e programit infrastrukturor dhe investime kapitale është i orientuar në sfera tjera.
Në lidhje me rrugët, kandidati Krenar Xhaferi premtoi se Autostrada e Gjilanit do të përmbyllet brenda dy vitesh, e brenda mandatit të parë deri te Dheu i Bardhë.
“Përveç Urës të Badocit që u përmend 32 metra e gjatë, asnjë punë tjetër nuk është bërë nga Qeveria aktuale”- kritikoi ai Qeverinë Kurti.
Kurse kandidati Xhafer Tahiri pretendon se arsyetimet e Qeverisë Kurti se është kursyer buxheti i shtetit për këto rrugë, nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, qytetarët kanë shpenzuar mijëra euro më shumë në amortizim të makinave për shkak të rrugëve të këqija.
“Pika e dytë për të hedhur poshtë këtë pretendim është se sa aktakuza për korrupsion janë bërë në këtë periudhë për këto kontrata që ata pretendojnë se ka pasur korrupsion. Përgjigja është zero. Është vetëm arsyetim për të tentuar të mbulojnë paaftësinë e tyre që t’i përfundojnë këto projekte”- tha ai.
Gjatë debatit, Krenar Xhaferi, përmendi shtimin e numrit të menaxherëve të kontratave në mënyrë që mos të bëhet normë 10 për qindëshi, e cila nënkupton punë shtesë- që pothuajse në shumë projekte aplikohet një gjë e tillë.
“Prishtina ka më së paku [këso] 10 për qind në krahasim me krejt nivelet tjera. Është fakt kjo që po e përmend së paku në Ministrin e Infrastrukturës, 10 për qindëshet janë shumë evidente”- tha ai.
Xhaferi pretendon se përderisa Komunën e Prishtinës një kontratë mbikëqyret prej 6 inxhinierëve, nga mbikëqyrësi i menaxherit, menaxheri dhe ekipi profesional, në ministri është vetëm një menaxher për krejt kontratat.
“Po flasim këtu për mbikëqyrje të asfaltit dhe investimeve infrastrukturore dhe besoj që edhe ajo frymë do të përcillet edhe në nivelin qendror, sepse duhet të ketë ekip më të madh profesional që secili jep të jep përgjegjësi për fushën e vet”- u shpreh ai.
Mbyllja e “Kosova A”, ngritja e Centralit me gaz
Plani më i madh që ka proklamuar LDK-ja në këtë fushatë zgjedhore e që hynë në kuadër të infrastrukturës dhe energjisë është ndërtimi i Centralit me Gaz.
Sipas programit të LDK-së, lokacioni i centralit të ri do të përcaktohet pas studimit të fizibilitetit, me mundësi serioze të vendosjes në Han të Elezit, Kaçanikut apo dhe Ferizajt.
Alban Zogaj thotë se këtë Central e kanë në plan ta ndërtojnë me kredi afatgjata, që sipas tij, Banka Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore, Fondi Monetar ofrojnë kredi afatgjatë për këso projekte.
Kurse, sipas plan-programit, paratë e nevojshme për investim do të sigurohen nga Fondi i Kursimeve Pensionale, me kthim investimi dyfish çfarë ky fond merr tani për tani nëpër tregjet ndërkombëtare.
“Ne veçse i kemi filluar linjat e para të komunikimit me kompani të mëdha amerikane të cilat do të investojnë në Centralin më gaz, 500 MË, 500 milionë euro”- tha Zogaj.
Në planin e LDK-së është mbyllja e Termocentralit “Kosova A” dhe rindërtimi i “Kosova B”.
“Ne mendojmë që kjo është gabim (rindërtimi e dy njësive të ‘Kosova A’). Rindërtimit të “Kosovës B” me ia shtu edhe Centralin me gaz, plus me hap dritare të reja për energji të ripërtritshme në bashkëpunim me sektorin privat”- tha ai kur u pyet nëse janë “pro” ose “kundër” thirrjes së fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për rindërtimin e dy njësive të “Kosova A”.
Megjithatë, ai tha se nuk do ta anulojnë menjëherë këtë thirrje nëse do të qeverisin, por do ta rishikojnë.
Për projektin e Brezovicës, Alban Zogaj tha se do ta realizojnë me model të Partneritetit Publiko-Privat (PPP) .
Ai tha se do të investojnë si Qeveri e si shtet 80 milionë euro në Brezovicë duke e ndërtuar infrastrukturën bazike të teleferikëve dhe të gondolës nga poshtë deri të qendra e skijimit.
“Por, pjesë tjetër të investimeve, facilitietet e hotelierive, fascilitetet sportive, të akomodimit e kështu më radhë, do t’i ndërtojnë sektori privat edhe firmat private”- tha ai.
Aviokompani dhe përfundim i hekurudhave brenda Kosovës
Alban Zogaj tha se në programin e tyre kanë paraparë rehabilitimin e hekurudhave të brendshme, njëherësh do të analizojnë edhe hekurudhën me Durrësin- edhe pse nuk e kanë në program.
“E kemi rehabilitimin e krejt hekurudhave të brendshme, kjo është prioriteti jonë”- tha ai.
Kurse, Xhafer Tahiri tha se Qeveria Kurti nuk e ka përfunduar asnjë prej projekteve të rëndësishme brenda Kosovës dhe retorika se do të ndërtojnë hekurudhën me Shqipërinë është thjeshtë një retorikë elektorale.
Në planprogram, LDK ka shkruar se ka identifikuar tri projekte kryesore që do të ripërcaktojnë përvojën e udhëtimit brenda Kosovës dhe do të forcojnë ekonominë, me total 100 milionë euro.
Projekti i parë, sipas tyre, është rehabilitimi i linjës hekurudhore Xërxë-Prizren, e cila më pas do të do të lidhte Prishtinën me Prizrenin (përmes Fushë-Kosovës) me një investim prej rreth 25 milionë eurosh. Projekti i dytë ka të bëjë me rehabilitimin e linjës Klinë-Pejë me një kosto prej 22 milionë eurove. Ndërkaq, projekti i tretë ka të bëjë me përfundimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore “Hani i Elezit-FushëKosovë”, duke përfshirë edhe rehabilitimin e stacioneve të trenit, përgjatë gjithë linjës.
“Për shkak të mungesës të zhvillimit për këtë katër vite të kësaj qeverisje, fokusi i madh duhet të jetë të përfundohen projektet e mëdha infrastrukturore të cilat janë bërë tanimë barrë për çdo qytetarë të Kosovës”- tha ai.
Ndërsa sa i përket çmimit të biletave të aeroplanit nga Aeroporti i Prishtinës që janë më të larta, Zogaj tha se në programin e tyre kanë dhe aviokompainë kosovare e cila do të ndihmojë në këtë drejtim, gjithashtu edhe zgjerimi i kapaciteteve të Aeroportit.
“Zgjerimi i kapacitetetve e rrit ofertën dhe kështu i zvogëlon çmimet e biletave”- tha ai.
Zogaj tha se zotohen që qasja e tyre është që monopolet të mos ekzistojnë në ekonominë e tregut të lirë të Kosovës dhe kontratat të analizohen.
“Nëse një kontratë është nënshkru dhe e ka një afat skadimi nuk mundet me ardhë një Qeveri e re dhe me fillu tani me i rrënu krejt kontratat e reja, andaj do t’i analizojmë kontratat, do të merremi me to në qoftë se se ka shkelje i orientojmë kah organet përgjegjëse”- tha ai.
Sipas planprogramit “Rruga e re”, parashihet themelimi i aviokompanisë së parë kombëtare, me një flotë avionësh prej 4 deri në 8 sosh, me vlerë të gjithëmbarshme 70 milionë euro.
LDK premton që kjo aviokompani – në pronësi publike dhe private – do të sigurojë fluturime të rregullta mes Aeroportit të Prishtinës dhe vendeve me diasporë të theksuar shqiptare.
“Rreth 100 milionë euro të tjera do të sigurohen nga investimet private, që do të bëhen pjesë e këtij konzorciumi”- shkruan në program.
Heqja e akcizës, rritja e buxhetit dhe financimi i normës të interesit
Xhafer Tahiri thotë që për sistemin e ujitjes, LDK ka paraparë investime të menjëhershme në rehabilitimin, fillimisht në sistemin aktualë të ujitjes të tokave bujqësore dhe pastaj ndërtimin e kapaciteteve të reja.
“Aktualisht në Kosovës kemi vetëm nja 20 mijë hektarë nën sistemin e ujitjes apo vetëm 4.8% e tokës bujqësore”- tha Tahiri.
Programi i LDK-së parasheh rritjen e buxhetit për bujqësi dhe zhvillim rural për 100 milionë euro për një mandat. Ndësa për planin e tokave nën ujitje dyfishim të sipërfaqes aktuale, që sipas matjeve të tyre aktualisht janë rreth 20 mijë hektarë të tokës bujqësore.
Edhe pse nuk është i përmendur specifikisht, Tahiri i cili ka qenë kryetar i Komunës së Vushtrrisë në mandatin e kaluar, tha se kanë pasur në plan ndërtimin e liqene akumuluese që mund të përdoren edhe për ujitje edhe për ujë të pijshëm.
Ai tha se në rajonin e Vushtrrisë është një projekt që është në kuadër të strategjisë kombëtare për siguri të ujit dhe projekt i studiuar nga Banka Botërore që nga vitet e 70- ta për liqene akumuluese.
Sipas tij, ky projekt patjetër që do të realizohet në mënyrë që të rritet edhe sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujitje edhe të kemi siguri të ujit.
Kurse, Alban Zogaj potencoi se një prej problemeve me të mëdha aktualisht të zhvillimit bujqësor në Kosovë është mungesa e sigurimeve bujqësore, të cilat premtojnë se do t’i bëjnë.
Për këtë, ai tha se duhet të kërkojnë prej kompanive të sigurimit që produktet bujqësore me i fut në gamën e tyre të shërbimeve dhe në qoftë se ka problem, si Qeveri t’i garantojnë ato sigurime.
Pos saj, Zogaj tha se kanë propozuar heqjen e akcizës për naftën e krejt firmave bujqësore dhe t’i financojnë normat e interesit për fermerët, që nënkupton që shteti të paguajë normën e interesit ndërsa fermerët të marrin kredi për zhvillimin e bujqësisë.
“Heqja e akcizës e bënë lëndën e parë për bujqësinë të jetë më e lirë dhe kështu i jep mundësi bujqësisë me u zhvillu edhe me pas produktivitet dhe profit me të lartë”- tha ai.
Xhafer Tahiri e sqaroi çështjen e formalizimit duke shtuar se do të krijohet një fond i veçantë nga Qeveria e Kosovës që garanton normën e interesit përmes fondit kreditor dhe garantimit të fondit.
Se qysh do të ndalet korrupsioni në dhënien e granteve, Tahiri tha se “hajnia është hajni- edhe atëherë, edhe tani, edhe në të ardhmen dhe do të merr dënimin e merituar sipas ligjit dhe asnjëherë nuk do të merr mbrojtjen e Qeverisë”.
Tahiri tha se për Rajonin 02- Mitrovicën, programi i LDK-së përfshin një numër të projekteve të rëndësishme që lindin si nevojë që kanë qytetarët e këtij rajoni.
Ai tha se projekti më i rëndësishëm është përfundimi sa më shpejt i rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
“Kjo rrugë tani për tani është përfunduar vetëm deri në fshatin Nadakofc. Ju dhe mediat tjera keni raportuar për problemet e kualitetit të punimeve i cili është bërë nga ngutia që ka pas Qeveria për ta prerë një shirit, që të ketë të paktën një projekt të përfunduar për këtë fushatë”- tha ai.
Përvoja e LDK-së në pushtet
Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.
Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së Administratës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) u mbajtën Zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.
LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës më 04.03. 2002 dhe LDK-ja formoi Qeverinë e parë pas luftës.
Kjo parti fitoi përsëri Zgjedhjet e vitit 2004, në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte President deri në vitin 2006.
Ndërsa, në Zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të formonte një Qeveri të re në krye me Isa Mustafën.
Në Zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një Qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV bëri koalicion me LDK-në, por Marrëveshja u prish pas disamuajsh kur Qeveria e Kurti u rrëzua në Kuvend në mars 2020, përmes një Mocioni Mosbesimi.
Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla. Më 22.03.2020, Hoti u zgjodh Kryeministër i Kosovës.
Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.
Kjo u pasua me Zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.Në Zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % – duke u renditur si partia e tretë, për nga numri i votave.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë më u kry nuk është përfundu”.