Lala: Rregullorja e BQK-së nuk i prek interesat e komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë
Deputeti nga Grupi Multietnik në Kuvendin e Kosovës, Fridon Lala ka thënë se rregullorja që e ndalon qarkullimin e dinarit si mjet pagese nuk i prek interesat e komuniteteve tjera në Kosovë.
Komuniteti egjiptian dhe komunitetet tjera (joserbe), sipas tij, nuk janë përfitues të skemave që financohen nga Qeveria e Serbisë.
“Si përfaqësues i komunitetit egjiptian dhe në emër të kolegeve tjerë, ndalesa e qarkullimit të dinarit nuk i prek interesat e grupeve që ne i përfaqësojmë, sepse komuniteti egjiptian dhe komunitetet tjera (joserbe) nuk janë përfitues të skemave që financohen nga Qeveria e Serbisë”- është shprehur ai.
Lala ka thënë se përmes hyrjes së pakontrolluar të dinarëve mund të bëhet shantazhimi i komunitetit rom.
“Ne kemi ngritur shqetësimet tona që përmes hyrjes së pakontrolluar të dinarëve bëhet edhe instrumentalizimi apo shantazhimi kryesisht i komunitetit rom që gjenden të pambrojtur në zonat e komunave veriore”- ka thënë ai.
Grupi Multietnik, sipas tij, ka qenë përkrah qeverisë për vendosje të rendit dhe kushtetutshmërisë.
Sipas Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me paratë e gatshme, e cila hyri në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.
Rregullorja e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.
DASH-i thotë se ky vendim ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Komisioni Evropian ka thënë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.