Lajçak me vizitë në Kosovë, nesër takon liderët opozitarë

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nesër do të zhvillojë takim me kryetarët e partive opozitare në Kosovë – Memli Krasniqi PDK, Lumir Abdixhiku LDK dhe Ramush Haradinaj AAK.

KALLXO.com mëson se takimi mes emisarit të BE-së dhe liderëve të opozitës do të zhvillohet nesër në mëngjes në zyrat e BE-së në Prishtinë.

Gjithashtu, KALLXO.com ka kontaktuar me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe Zyrën për Media të BE-së, për të kuptuar nëse do të ketë një takim mes Lajçak dhe kryeministrit Albin Kurti, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti, nuk janë përgjigjur.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vie dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft statut të vetëmenaxhimit.

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”- ka thënë Kurti.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.