Kuvendi miraton Projektligjin për Fondin Sovran

Me 61 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për themelimin e Fondit Sovran.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Fondi Sovran do të shërbejë si menaxhues i aseteve publike ndërsa ky Projektligj rregullon mënyrën e qeverisjes së Fondit.

“Ky Fond Sovran do të shërbejë si menaxhues i aseteve publike. Ligji rregullon mënyrën e qeverisjes së Fondit dhe vendos parimet, rregullat dhe  mënyrën e financimit. Fondi Sovran do të kryejë një sërë funksionesh. Fondi themelohet si shoqëri aksionare. Fondi ka edhe krahun investues me qëllim akumulimin afatgjatë të kapitalit. Fondi mund të investojë jashtë dhe brenda vendit”- tha Rizvanolli para deputetëve të Kuvendit.

Jeta Statovci, nënkryetare e Komisionit për Ekonomi, tha se ky komision rekomandon që të miratohet në parim Ligji për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

Në votimin e këtij Projektligji kanë marrë pjesë vetëm deputetët e grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK janë larguar nga seanca e Kuvendit.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se vlerësojnë se është e paarsyeshme të vazhdojnë me seancë pas tensioneve në Kuvendin e Kosovës ndërsa Eliza Hoxha nga PDK tha se meqë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u largua nga seanca, tashmë janë kushtet normale për të vazhduar.

Qeveria e Kosovës kishte miratuar më 7 qershor Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës.

Fondi Sovran është shuma e mjeteve monetare që krijon Qeveria për qëllime të investimeve. Këto mjete monetare zakonisht mblidhen nga surpluset e rezervave, nga shitja e resurseve natyrore, nga privatizimet etj. Diçka e tillë ekziston në Norvegji, në Singapor, në Kuvajt etj. Fondi Sovran do të funksionojë si shoqëri aksionare.

Ky Fond ka qenë premtim i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar që Agjencinë e Privatizimit do ta shuajë dhe asetet e saj do t’i kalojë në pronësi të Fondit Sovran.

Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik në vend

VIDEO – Si nisi përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës