Albin Kurti
Kurti: Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik në vend
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Fondi Sovran është projekti më i madh ekonomik që është bërë ndonjëherë në Kosovë.
Ai ka thënë se ky Fond do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre.
“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”- ka thënë Kurti.
Tutje ai ka thënë se Projektligji që tashmë ka kaluar konsultimet publike së shpejti do të miratohet në Qeveri.
Ndërsa, ka bërë të ditur se sot para deputetëve të grupit parlamentar të LVV-së dhe anëtarëve të grupit punues për hartimin e koncept-dokumentit kanë diskutuar lidhur më atë që do të jetë bërthama e sovranitetit ekonomik.
“170 shtete të botës, nga gjithsej rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global”- ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se këtë muaj janë bërë gjashtë vjet prej kur për herë të parë kanë dhënë propozimin dhe zotimin për Fondin Sovran që sipas tij, ka qenë pjesë e secilës platformë zgjedhore, përfshirë edhe programin qeverisës të Qeverisë Kurti 1.
Në mars të këtij viti është hartuar një draft i Projektligjit për Fondin Sovran.
Fondi Sovran, siç premtonte Kurti, do të zëvendësojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), duke marrë nën menaxhim ndërmarrjet publike në vend, të cilat aktualisht menaxhohen nga AKP.