Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari Lila: Draft Kodi Civil i rregullon martesat mes personave me gjini të ndryshme, por jo të atyre me gjini të njëjtë

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ka folur për draft Pojektkodin Civil për të cilin po diskutohen në seancën e Kuvendit.

Kusari Lila tha se ky projektkod i rregullon martesat e personave me gjini të ndryshme por jo edhe të atyre me gjini të njëjtë.

“Sa i përket martesës draft Kodi Civil ka rregulluar martesën mes personave me gjini të ndryshme. Përderisa draft Kodi Civil  nuk e rregullon martesën e personave me gjini të njëjtë por, vetëm në mënyrë afirmative i njeh bashkësinë civile duke referuar që në të ardhmen duhet të nxjerrët një ligj i veçantë i cili cakton kushtet dhe procedurën e martesës në mes të personave me gjini të njëjtë”, ka deklaruar Kusari Lila.

Ajo shtoi se ky kod është në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian dhe me standardet e tjera në fushën e së drejtës.

“Kosova ka pasur nevojë për harmonizim të ligjeve dhe evitim të konfliktit të ligjit për të mundësuar zbatimin më të mirë. Kodi është në harmoni të plotë me direktivën e BE dhe standardet tjera ndërkombëtare në këtë fushë të së drejtës”, ka thënë Kusari Lila.

“Ky draft kod ka rregulluar dhe avancuar segmente të ndryshme të jetës, barazia para ligji, të drejtat e njeriut, prona, transaksionet ekonomike, kontratat, marrëdhëniet familjare, të drejtat e fëmijëve, trashëgimia”, shtoi ajo.

Kusari Lila ju ka bërë thirrje që të votohet ky projektkod dhe për të gjitha plotësimet ose ndryshimet të adresohen mes leximeve.

“Ju ftoj që bashkërisht të votojmë këtë projekt kod dhe pastaj të gjitha plotësimet dhe ndryshimet që mund t’i keni në raport me nene apo librave ti adresojmë në mes të dy leximeve”, tha Kusari Lila.