Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama Foto: ZKM

Kurti uron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapje të negociatave me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Kurti përmes një postimi në twitter ka thënë që Kosova feston për arritjen e Shqipërisë.

“Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka shkruar Kurti në twitter.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar këto dy vende për hapjen e negociatave.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më 19 korrik hapën zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën vjen pasi më 16 korrik, Kuvendi maqedonas miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.

Maqedonia e Veriut ka marrë statusin e vendit kandidat më 2005 dhe Shqipëria më 2014. Por, nisja e negociatave u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën mes Shkupit dhe Sofjes.